E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, Beqja : Ekonomia në vështirësi

Partia Socialiste ka dalë në një reagim publik për situatën ekonomike në vendin tonë. Ilir Beqja, në emër të PS-së tha se në vendin tonë të gjithë sektorët e ekonomisë po ndjehen në vështirësi. "Të gjithë sektorët e ekonomisë në gjysmën e parë të vitit 2009 kanë punuar më pak se vitin e kaluar.Në sektorin e industrisë sipërmarrësit nuk po shfrytëzojnë gati 40 % të kapaciteteve të tyre prodhuese. Edhe sektori i ndërtimit po punon nën stres sepse po shfrytëzon vetëm 63% te kapaciteteve", u shpreh ai. Sipas Beqjas, bujqësia do të ulë me disa herë ritmin e rritjes gjatë këtij viti, ndërkohë që prodhimi agroindustrial ka rënë me 7 për qind.
PS ka vlerësuar se situata pritet e zymtë edhe në 6 muajt e dytë të vitit. Sipas Ilir Beqjas, kryeministri Berisha injoron denoncimet e njëpasnjëshme të PS-së për ekonominë. "Është detyrë e Partisë Socialiste të vazhdojë të denoncojë shurdhërinë e Sali Berishës, të cilit shqiptarët nuk ia dhanë votat për të qeverisur", përfundoi Beqja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›