PS, Beqja: Berisha gënjeu për shpërblimet e fundvitit

Partia Socialiste ka sulmuar kreun e qeverisë Berisha duke deklaruar se gënjeu në lidhje me shpërblimet për festat e fundvitit. Deputeti Ilir Beqja tha se 800 mijë familje nuk kanë asnjë mbështetje nga qeveria në këtë fund vit.
"Festat e fundvitit erdhën, por familjet e varfëra shqiptare në qytet e në fshat nuk kanë me se të festojnë dhe kryeministri Sali Berisha gënjeu kur deklaroi se 800 mijë familje do të marrin kartolinën e vitit të ri nga qeveria", u shpreh ai.
Beqja pohoi se Sali Berisha duhet të tregojë të vërtetën edhe për fondin e shpërblimeve të këtij viti."Vetë teksti i vendimit për dhënien e shpërblimeve është përgënjeshtruesi më i madh për Sali Berishën. Në këtë tekst konfirmohet se për vitin 2009 ai nuk u dha pensionistëve 5.3 milionë USD dhe tani vetëm se u shlyen detyrim të mbetur", përfundon deklarata e Beqjas.