E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulmet ndaj biznesit, Gjiknuri: Qeveria po përdor tatimet në kundërshtim me ligjin

TIRANE - Deputeti i PS-së, juristi Damian Gjiknuri është shprehur sot se organet policore po abuzojnë me bizneset. Sipas tij, veprimet po kryhen duke shkelur haptazi ligjin mbi procedurat tatimore. Dhe për më tepër këto polici janë të përdorura.

Deklarata e Gjiknurit:

Biznesi shqiptar dhe ekonomia që lidhet me të, po ndjejnë përherë e më shumë trysninë e paligjshme dhe abuzive të organeve policore, qofshin këto të rendit publik, ndërtimit dhe ato tatimore.

Pas shfaqjeve të shëmtuara me fadroma e rruspa të policisë ndërtimore, ditët e fundit organet tatimore kanë filluar një sërë kontrollesh dhe ri-kontrollesh të paligjshme mbi bizneset e vendit, duke i përzgjedhur ato në bazë të interesave politike dhe monopoliste të qeverisë Berisha.

Këto veprime po kryhen duke shkelur haptazi ligjin për procedurat tatimore, i cili në nenet 80 dhe 85, në mënyrë shteruese ka përcaktuar se kontrollet tatimore autorizohen vetëm pasi të jetë kryer procedura e analizës së riskut, ndërsa ri-kontrolli tatimor është rreptësisht i ndaluar, përvec rasteve kur fajtore është vetë administrata tatimore apo ka prova për evazion fiskal.

Berisha po i përdor këto instrumenta të administratës fiskale për të larë hesapet politike me bizneset legjitime dhe shumëvjecare, që në fantazinë e shfrenuar të Sali Berishës rezultojnë të jenë "punisto-mafioze".

E pra në shtetin që këto ditë po mburret se po plotëson pyetësorin për standarde të familjes evropine, administrata e tij po angazhohet në një betejë bizantine, ndaj sipërmarësve të ligjshëm të vendit.

Në mënyrë paradoksale, në kohën kur oborrtarët qeveritarë të kryeministrit flasin për klimë të favorshme biznesi, tatimorët e tij u kallin frikën me mjete të paligjshme cdo biznesmeni që pa dashje apo me dashje mund të kualifikohet në listën "punisto-mafioze" të kryeministrit.

Në shtetin e të drejtës dhe në evropën ku duam të shkojmë, siguria juridike e pronës dhe biznesit është baza e shoqërisë, ndërsa në shtetin e Sali Berishës , siguria juridike është vetëm një nocion në letër apo gjendje e përkoshme, e cila varet shumë nga tekat e kryministrit, oborrit të tij dhe përzgjedhjes politike. Nëse të ndodhë që sulltanit Berisha t'i krijohet dyshimi vetë apo nga të tjerë, se një biznes është "punisto-mafioz", investimi i nënshtrohet persekutimit tatimor e policor, pavarësisht nga ligji, procedurat, garancitë kushtetuse apo kostot psikologjike e ekonomike që i shkakton shoqërisë.

Një vend i tillë nuk mund të jetë anëtar i Natos, e as kandidat për në BE.

Një vend i tillë nuk mund të ketë liri ekonomike, klimë normale biznesi apo siguri të pronës.

Pëkundrazi, një vend i tillë do të jetë sulltanat i bizneseve selektive dhe i pasigurisë për investime, me cikle të përsëritura, me këdo dhe mbi këdo, përfshirë edhe ata që duken sikur i kanë shpëtuar represionit të radhës, por që herët ose vonë do të bihen pre e abuzimit të shtetit të Sali Berishës, për aq kohë sa kjo ngrehinë shtetërore drejtohet prej tij dhe me stilin e tij.

Në këtë situatë ku shteti përdor në mënyrë të paligjshme organet e tij ndaj atyre që e pagujnë për ta mbajtur ne këmbë, ajo që mbetet, është rezistenca me cdo mjet ndaj kësaj dhune të paligjshme, duke justifikuar cdo lloj vetmbrojtje ndaj një shteti që nuk i përket më ligjit por "sulltan Maliqit".

**********

Qeveria mësyn në 2K. WAN, raport për presionin mbi Shekullin

Nje nga organizatat më perfaqesuese te medias ne botë, WAN (World Association of Newspapers) ka kontaktuar sot ne linje telefonike me drejtues te gazetes Shekulli dhe Zyren Juridike prane saj.

I pyetur rreth kesaj, drejtori i gazetes Shekulli, Adrian Thano tha se WAN eshte njohur ne menyre te detajuar me sulmet publike te kreut te egzekutivit ndaj gazetes Shekulli dhe kompanise qe investon ne të. Gazeta Shekulli eshte anetare e WAN prej vitit 2002.

Në WAN, është dorezuar disa dite me pare edhe nje leter e detajuar e botuesit te Shekullit Kokedhima qe permban info mbi rrethanat e 20 rasteve te presionit qeveritar, mbi bizneset e 2K Grup.

Organizata njoftoi dje se është duke përpiluar një raport në lidhje me këtë ngjarje. Raporti është në fazën e parë, atë të mbledhjes së informacionit.

Përfaqësues të WAN kane kontaktuar gjate dites se djeshme edhe me perfaqesues te organizatave te Medias ne Tirane, perfshire Institutin e Medias.
Raporti pritet të bëhet publik në ditët e para të vitit të ardhshëm.

**********

UPDATE - Sulmi i djeshëm ndaj kompanive të "2K Group" ka krijuar një tjetër ngërç mes qeverisë dhe biznesit. Pesë kompani qe i perkasin ketij grupi janë vënë sërish nën kontroll nga tatimorët edhe pse kontrollet e rregullta qe parashikon ligji tatimor ishin kryer në këto kompani gjatë gjashtë mujorit të fundit.

Juristet e 2K Grup akuzojne se tatimorët kanë ndërhyrë me forcë, dhe kane marre pa leje nga zyrat fatura dhe dokumente origjinale.
2K, botuese e gazetes Shekulli dhe e disa mediave te tjera si Sporti Shqiptar, Televizioni A1, Revista spekter, Radio kombetare +2 etj, e ka klasifikuar ngjarjen e djeshme si 'sulm me prapavijë politike'.
Zyra Juridike njoftoi se '2K Group' ka vendosur ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënieve me qeverinë dhe ka vendosur të depozitojë kallëzimin penal për ministrin Bode. Përveç kësaj kompania i ka kërkuar tatimeve që të kthejnë dokumentet dhe faturat origjinale që kanë marrë forcërisht nga zyrat.

Çfarë ka vendosur "2K Group"

Ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënieve me inspektorët e qeverisë në të gjitha kompanitë që janë kontrolluar gjatë gjashtë muajve të fundit

Ti drejtohet gjykatës që ajo të shprehet me një vendim për këto veprime arbitrare

Të kallëzojë penalisht ministrin e Financave Ritvan Bode dhe disa drejtues të tjerë të Tatimeve

Ti konsiderojë këto sulme si veprime abuzive, të paligjshme dhe me prapavijë politike

"2K Group" i kërkon administratës tatimore të kthejë të gjitha faturat dhe dokumentet origjinalë që janë grabitur nga kompanitë

*****

Ka rregjistrime dhe dëshmi që provojnë se në datën 10 Dhjetor Ministri i Financave, z. Ridvan Bode, ka thirrur në zyrën e tij Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, ku me porosi të Kryeministrit Sali Berisha i ka dorëzuar këtij të fundit një listë me 40 biznese duke i kërkuar që 'ose të sjell 60 milionë Euro gjoba nga këto subjekte ose të dorëzojë detyrën'.

Qeveria është në pamundësi të qartë financiare për të përballuar detyrimet e saj më elementare. Kjo pamundësi ka ardhur si pasojë e abuzimeve financiare të vazhdueshme që kanë boshatisur arkën e shtetit. Në këto kushte qeveria po shndërrohet në bandë, duke përdorur organet e shtetit si çeta që vijnë në selitë e bizneseve përe të "ushtruar kontroll" megjithëse kontrollet e parashikuara nga ligji sapo kanë përfunduar dhe për të vendosur gjoba me paramendim, pavarësisht nëse gjejnë apo jo, shkelje ligjore.
Në listën e 40 bizneseve që janë piketuar për tu gjobitur apriori, ishin edhe kompanitë e "2K Group". Lista e cila posedohet nga disa redaksi mediash, përmban edhe disa emra të tjerë kompanish në pronësi të personave të klasifikuar si kundërshtarë të qeverisë, ose "punisto-mafiozë" sipas ulërimave histerike të kreut të egzekutivit.

Megjithëse takimi në zyrën e Ministrit u denoncua nga mediat, egzekutivi nuk hoqi dorë.
"2K Group" është sulmuar dje me "kontrolle" nga tatimorët. Me anë të një deklarate për shtyp kompania ka njoftuar se: "Vetëm gjatë ditës së sotme (dje) punonjës të tatimeve janë paraqitur në pesë subjekte në pronësi të "2K Group" apo z.Koço Kokëdhima, pavarësisht se në to kishin përfunduar kontrollet gjatë tre muajve të fundit.
"Në kompaninë "Sirius", kontrolli ka përfunduar dhe kompania është njoftuar për mbarimin e kontrollit nëpërmjet aktit të njoftim-vlerësimit në shtator të vitit 2009, - thuhet në deklaratë.

Kompania tjetër që është sulmuar paraditen e djeshme është Remonti Elektrik sh.a në Elbasan. Kjo kompani ka qenë objekt i kontrollit të tatimeve të Elbasanit deri tre javë më parë. "Kontrolli i parë pas paraqitjes të inspektorëve në të gjitha këto kompani, ka nisur sot tek Remonti Elektrik i Elbasanit, ku inspektori i kontrollit ka marrë jo vetëm informacionin e kompjuterëve por në kundërshtim flagrant me ligjet e shtetit, ka larguar nga kompania të gjitha faturat dhe dokumentet origjinale. Ky veprim është konsideruar nga bordi drejtues i "2K Group" si një grabitje",- thuhet më tej në njoftimin e "2K Group".
Në këtë situatë presioni kompania ka mbledhur bordin drejtues për të përcaktuar veprimet që do të ndjekë në të ardhmen. "I alarmuar dhe i shqetësuar nga ky precipitim i paimagjinueshëm i veprimeve arbitrare të policive të Sali Berishës, bordi drejtues i "2K Group" ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimet me inspektorët e qeverisë në të gjitha kompanitë që janë kontrolluar gjatë gjashtë muajve të fundit dhe ti drejtohet gjykatës që ajo të shprehet me një vendim për këto veprime.

Bordi Drejtues i "2K Group", gjithashtu ka vendosur që të kallëzojmë penalisht Ministrin e Financave, Ridvan Bode, dhe disa drejtues të tjerë të Tatimeve. Këto janë veprime abuzive, të paligjshme dhe me prapavijë politike",- thuhet në njoftimin zyrtar të kompanisë.

"Shekulli" ka tentuar që të lidhet me zyrtarët e tatimeve në Elbasan por të gjithë i kanë bërë bisht detyrimit ligjor për transparencë me median. Telefoni i fikur dhe kalimi i përgjegjësive tek "më lart" ishin përgjigjet që morën përpjekjet tona.

*****

Deklarata e plotë e "2K Group"

Në datën 10 Dhjetor mediat kanë informuar opinionin publik se Ministri i Financave, z. Ridvan Bode, ka thirrur në zyrën e tij Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, ku me porosi të Kryeministrit Berisha i ka dorëzuar këtij të fundit një listë me 40 biznese në pronësi të personave të klasifikuar si kundërshtarë të qeverisë dhe i ka kërkuar që ose të sjell 60 milionë Euro gjoba nga këta subjekte ose të dorëzojë detyrën. Një prej këtyre subjekteve ishin edhe kompanitë e "2K Group".

Sot në datë 21 Dhjetor, informacionet e dhëna në media janë bërë realitet.
Vetëm gjatë ditës së sotme punonjës të tatimeve janë paraqitur në pesë subjekte në pronësi të "2K Group" apo z. Koço Kokëdhima, pavarësisht se në to kanë përfunduar kontrollet gjatë tre muajve të fundit. Kështu "Sirius-it" i është përfunduar kontrolli dhe i është dërguar njoftim-vlerësimi në shtator të vitit 2009. Ndërsa Remonti Elektrik sh.a, ka qenë objekt i kontrollit të tatimeve të Elbasanit deri tre javë më parë. Kontrolli i parë pas paraqitjes të inspektorëve në të gjitha këto kompani, ka nisur sot tek Remonti Elektrik i Elbasanit, ku inspektori i kontrollit ka marrë jo vetëm informacionin e kompjuterëve por në kundërshtim flagrant me ligjet e shtetit, ka larguar nga kompania të gjitha faturat dhe dokumentet origjinale. Ky veprim është konsideruar nga bordi drejtues i "2K Group" si një grabitje. I alarmuar dhe i shqetësuar nga ky precipitim i paimagjinueshëm i veprimeve arbitrare të policive të Sali Berishës, bordi drejtues i "2K Group" ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimet me inspektorët e qeverisë në të gjitha kompanitë që janë kontrolluar gjatë gjashtë muajve të fundit dhe ti drejtohet gjykatës që ajo të shprehet me një vendim për këto veprime. Bordi Drejtues i "2K Group", gjithashtu ka vendosur që të kallëzojmë penalisht Ministrin e Financave, Ridvan Bode, dhe drejtuesit e tjerë të Tatimeve që kanë kryer këto veprime abuzive, të paligjshme dhe me prapavijë politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›