PS, Beqja: Berisha në Davos, kuptoi sa të varfër jemi
TIRANE- “Qeveria pranoi publikisht në mbledhjen e djeshme se ka dështuar në zbutjen e varfërisë në vend”- kështu e ka cilësuar Partia Socialiste deklaratën e Kryeministrit Berisha. Përmes një deklarate për shtyp nga selai rozë, Ilir Beqja ka nënvizuar faktin se “Për ironi të fatit, kryeministrit të papërgjegjshëm Sali Berisha iu deshën 4 ditë në Davos për të kuptuar diçka nga realiteti i varfërisë së shqiptarëve”. PS ka hedhur akuza për qeverinë duke thënë se Shqiptarët janë të varfër për shkak se mungojnë vendet e punës dhe forcat aktive të punës prej vitesh nuk rriten. “Është pikërisht varfëria, ajo që ua bëri të padurueshme jetën më shumë se 300 shqiptarëve në vitin 2008 dhe i dhanë fund asaj në mënyrë tragjike”- ka thënë Beqja për gazetarët. Ndër të tjera, PS ka përmendur një sërë faktorësh dhe premtimesh të pambajtura të qeverisë, duke deklaruar se Berisha ka gënjyer për rritjen e pensioneve dhe për ndihmën ndaj shtresave në nevojë, duke thënë se pseudo rritja e qershorit kompensohet totalisht me ngritjen marramendëse të cmimeve.
Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, Kryeministri Berisha deklaroi se do të fillonte menjëherë puna për evidentimin dhe ndihmën e familjeve në nevojë. Duke hedhur akuza për pushtetin vendor, i cili nuk i ka ndihmuar këto familje, Berisha ka thënë se do të ngrihet një grup i posacëm ndërministror që do të merret me këtë ceshtje, madje ka kërkuar nga Ministria e financave, akordimin e një fondi të posacëm për tu ardhur në ndihmë të varfërve.
(e.n/Balkanweb)