PS: Berisha dështoi me luftën ndaj krimit, rritje drastike të veprave penale
Tiranë- Partia Socialiste ka vijuar edhe sot deklaratat e saj në kuadër të nismës për 100 arsye për largimin e qeverisë aktuale dhe arsyeja e radhës është krimi.
Në një delaratë për mediat deputetja Ermonela Felaj u shpreh se gjatë qeverisjes së kryeministrit Berisha ka pasur një rritje të krimit, duke thënë se çdo vit shënohen 1500 krime. Sipas saj vetëm në vitin 2012 u shënuan 3029 vepra penale më shumë se një vit më parë.
Janë katërfishuar plagosjet nga 875 në 2005 në plot 2550 në 2012, ndërkohë që Shqipëria është vendi europian me numrin më të lartë të vrasjes për 100 mijë banorë, në Europë. Janë dyfishuar vjedhjet në banesa; Janë dyfishuar grabitjet e kompanive private; Janë dyfishuar krimet kundër pronës; Janë dyfishuar vjedhjet me armë; Janë trefishuar vjedhjet me dhunë; Janë trefishuar vjedhjet e makinave; Janë katërfishuar vjedhjet e gjithë llojeve të tjera,- tha ajo.
Sipas deputetes për Partinë Socialiste siguria e jetës është gur themeli për një zhvillim të qëndrueshëm në të gjitha fushat e jetës, të punësimit, të shëndetësisë, edukimit dhe kulturës. Ajo u shpreh se PS-ja ka atë që nuk ka kjo qeveri, vullnetin për ta luftuar krimin dhe një strategji të mirëfilltë për ta luftuar atë.
Felaj deklaroi se në 300 ditët e para të qeverisjes do të bëhet reformimi i plotë i policisë dhe rritje të financimit për ktë sektor.