PS: Berisha dështoi me mbrojtjen e mjedisit, vuri në rrezik pasurinë ujore
Tiranë- Partia Socialiste ka akuzuar sot kryeministrin Sali Berisha se ka dështuar me premtimet e tij për mbrojtjen e biodiveristetit. Në një deklaratë për mediat, deputeti Besnik Baraj, u shpreh se situata është mjaft alarmante sa i përket sistemit ujor, i cili sipas tij po shfrytëzohet pa kriter.
Edhe pse jemi vendi i dytë në botë për pasurinë ujore. Situata është dramatike për shkak të keqshfrytëzimit. Qeveria dështoi me mbrojtjen e biodiversitetit. Verbëria e pushtetit dhe e përfitimeve ka vënë në rrezik pasuritë ujore. Janë shitur e plaçkitur si plaçkë e huaj. As pushtuesit e huaj skanë sjellë kaq dëm sa solli qeveria Berisha,- tha ai.
Më tej Baraj u shpreh se një tjetër çështje shqetësuese është shpyllëzimi i disa zonave me rëndësi të madhe për vendin. Sipas tij, qeveria nuk mori asnjë masë për prerjen pa kriter të pyjeve.
Kjo qeveri ka dështuar në mbrojtjen e natyrës sepse nuk është bërë asgjë për të mbrojtur mjedisin dhe lumenjtë. Mizotëron shpyllëzimi i madh. Kryeministri premtoi mbrojtjen e pyjeve nga prerjet, sot Lura dhe zona të tjera janë zonat më dramtike. Eksporti i qymyrit lulëzon në kurriz të prerjes së pyjeve. Janë 100 mijë hektarë pyje të djegura një vit më parë. Rritja e siperfaqeve të zhveshura ka shkaktuar erozion masiv. 20- 40 ton për hektar në ditë,-deklaroi deputeti.
Ai u shpreh se nuk po merren masa as ndaj pasurive mjaft të rëndësishme të vendit, siç është liqeni i Ohrit. Bare tha se ai po shkatërrohet për shkak të hedhjes së inerteve. Ndërsa një tjetër problem shqetësues që ngriti deputeti, është peshkimi pa kriter duke rrezikuar koranin.
Bare premtoi se pas 23 qershorit Partia Socialiste do të shohë kontratat me kompanitë e shfrytëzimit të lumenjve dhe kompanitë e HEC-eve në lumenjtë e vegjël. Ai premtoi ripyllëzim të zonave të dëmtuara dhe mbrojtjen e tyre.