PS: Berisha dështoi me modelin ekonomik dhe tashmë mashtron me raportet ndërkombëtare
Partia Socialiste ka akuzuar kryeministrin Berisha se ka dështuar me modelin e tij ekonomik. Deputeti Edison Konomi ka thënë në një konferencë shtypi se, Shqipëria kaloi një vit të vështirë ekonomik në 2012-ën, ndërsa fillimi i këtij viti ka qenë akoma edhe më i vështirë.
Edhe të dhënat zyrtare nuk mund ta fshehin dot më se jo vetëm që viti 2012 ishte viti më i keq për ekonominë shqiptare në këto 22 vjet demokraci, por tre-mujori i parë i vitit 2013 është edhe më keq se ai i vitit të kaluar.
Raporti për realizimin e treguesve fiskale të tremujorit të parë tregojnë se kjo qeveri ka dështuar në të kaluarën e sot po dështon edhe më keq me mbledhjen e të ardhurave.
Deficiti në realizimin e të ardhurave është 40 milion Euro me pak se plani, ose 5% minus.
Totali i të ardhurave të 3-mujorit të parë 2013 është më i ulët se treguesi i realizuar në 3-mujorin e parë të vitit 2011 dhe 3-mujori i parë i vitit 2012, tha Konomi.
Sipas tij, për të fshehur gjendjen reale ekonomike të vendit, Berisha mashtron me raportet ndërkombëtare, siç ishte ai më i fundit i Komisionit të Europës.
Berisha, në vend që të japë llogari para qytetarëve për këtë përkeqësim të gjendjes, del para kamerave e mediave duke folur për raporte të tjera ndërkombëtare, të shkruara në anglisht dhe duke i përkthyer të dhënat tjetër për tjetër, duke mashtruar, siç ishte rasti i referimit ndaj raportit të Komisionit Europian për situatën ekonomike të vendeve aspirante për anëtarësim.
Në respekt të publikut dhe qytetarëve shqiptarë, duhet të themi se 4 të vërteta të hidhura kishte ky raport:
Rritja është ngadalësuar keqas;
Borxhi është i lartë;
Investimet e huaja kanë rënë;
Papunësia nuk po njeh përmirësim, u shpreh deputeti socialist.
Ai ka thënë se tashmë shqiptarëve u duhet një model i ri ekonomik.
Shqipërisë dhe shqiptarëve u nevojitet një model i ri ekonomik, nevojitet ristrukturimi i plotë i ekonomisë shqiptare. Një model ekonomik i cili të ketë si prioritet më pak borxhe për brezat e ardhshëm, më shumë qëndrueshmëri fiskale. Qëndrueshmëri ekonomike nëpërmjet rivendosjes të ekuilibrave buxhetorë për të zbutur kështu barrën e detyrimeve mbi brezat e ardhshëm.
Qeveria e re e majtë pas 23 qershorit do të shëndoshë financat publike, do të lehtësojë buxhetet familjare, duke i dhënë më në fund frymëmarrje të re ekonomisë shqiptare, përfundoi Konomi./b.l