E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Berisha dështoi me rendin, krimet janë trefishuar, policia tradhtohet nga kupola

lutajPartia Socialiste deklaroi se një nga 100 dështimet e kësaj qeverisje është ai me rendin.

Deputeti i PS, Piro Lutaj tha se qytetarët sot ndihen më të pambrojtur se kurrë, ndërkohë që krimi është trefishuar në këto tetë vite qeverisje të Berishës.

Sipas Lutajt, pasiguria në rrugë është rritur me 220 përqind, ndërkohë që është përkeqësuar lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Sot Policia e Shtetit ka dështuar keq dhe me mbrojtjen e grupeve më në nevojë, siç janë fëmijët dhe gratë nën rrezikun e provuar e të përsëritur të dhunës.

Profesionalizmin dhe motivimin e Policisë së Shtetit, Berisha e mbyti me emërimet dhe rekrutimet që plotësonin vetëm një kriter, atë të militantit (ose tre nëse shtojmë nepotizmin e krahinarizmin).

Raportet e Bashkimit Europian në vitin 2010 dhe 2011 për progresin e bërë nga Shqipëria dhe raporti i Departamentit Amerikan të Drejtësisë (2012) theksojnë qartë se Policia e Shtetit vuan si pasojë e korrupsionit dhe të mungesës së profesionalizmit, me gjithë trajnimet e shumta të ofruara nga misionet që asistojnë policinë, tha Lutaj.

Ndershmëria e personelit u godit rëndë kur Policia e Shtetit u kap nga kupola e Ministrisë së Brendshme me lidhje të shkurtra me botën e krimit. Drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit sot janë të lidhur me krimin e organizuar. Kjo kupolë ka tradhtuar Policinë e Shtetit, duke tradhtuar njerëzit e ndershëm e më të përgatitur brenda saj. Këta ose janë larguar, ose janë hedhur në katër rrugë, ose janë detyruar të heshtin, duke shkaktuar një shkatërrim moral të gjithë Policisë së Shtetit.

Drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit sot garantojnë rrugët e kontrabandës dhe administrojnë të gjitha të ardhurat nga korrupsioni. Tradhtia e përditshme që i bëhet Policisë së Shtetit, ka fytyrën e trios Flamur Noka (Ministër i Brendshëm), Hysni Burgaj dhe Agron Kuliçaj. Kjo është dora e rrënimit të vazhdueshëm të Policisë së Shtetit, vijoi deputeti socialist, duke theksuar se tani komisarët këputen rrugëve nga plumbat dhe asgjë nuk ndryshon.

Sipas Lutajt, akoma nuk ka një bazë të dhënash elektronike për të gjithë personat me precedentë penalë dhe vendndodhjen e tyre.

Qeveria e Berishës jo vetëm që ka shkaktuar një dëm kaq të madh në kurriz të rendit e sigurisë publike të qytetarëve, por ka vendosur të bashkëjetojë me këtë situatë: Duke mos pasur aspak ndërmend luftën ndaj krimit, vendosi të miratonte ligjin që pajis me armë ministra e deputetë.

Pas 59 ditësh, qeveria e majtë, që në 300 ditët e para do ta rivendosë Policinë e Shtetit në krye të detyrës dhe Shqipëria do të shohë me sytë e saj një polici të rilindur. Riorganizimi rrënjësor i Policisë së Shtetit dhe i të gjitha forcave të sigurisë, rritje të trajtimit financiar për policinë shqiptare dhe do e çlirojmë atë nga kupola e Policisë, tha Lutaj./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›