E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronarët legjitimë kundër legalizimeve

Shoqata “Pronësi me Drejtësi” është shprehur se s’do ketë zgjidhje të çështjes së legalizimeve pa u kompensuar ish-pronarët

Pronarët legjitimë vazhdojnë të mbeten skeptikë në lidhje me suksesin e zbatimit të ligjit për legalizimin e zonave informale. Edhe pas ndryshimeve të fundit që ka bërë qeveria në përcaktimin e vlerës së tarifës së shërbimit për legalizimin dhe mbledhjen e administrimit të të ardhurave të këtij procesi, Shoqata e ish-Pronarëve vlerëson se përsëri ligji është i pazbatueshëm, pasi situata e subjekteve që do të shpronësohen mbetet po e njëjtë. Sipas sekretarit të përgjithshëm të Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Agim Toro, çështja e legalizimit të ndërtimeve informale nuk do të ketë zgjidhje, për sa kohë shteti nuk do të arrijë t’i japë zgjidhje kërkesave të pronarëve legjitimë. “Në këto kushte, në qoftë se nuk zgjidhet problemi i pronësisë, legalizim nuk mund të ketë. E kemi thënë dhe e themi me forcë këtë gjë. Përpara se t’i hiqet titulli i pronësisë një subjekti të shpronësuar duhet të vendoset masa e dëmshpërblimit të tij, masë që duhet të pranohet nga subjektet e shpronësuara, dhe të kalojnë paratë”, - tha Agim Toro. Nga ana tjetër, kreu i Agjencisë së Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave Informale, Shaban Memia shprehet se me ndryshimet që iu bënë ligjit gati një muaj më parë dhe miratimin e ndryshimit të procedurës së përcaktimit të vlerës së shërbimit, procesi i legalizimeve është zhbllokuar përfundimisht. Sipas tij, kjo agjenci ka përgatitur një pjesë të dosjeve të depozituara nga qytetarët dhe pritet që gjatë muajit shtator të nisë shpërndarja e titujve të pronësisë për afro 100 mijë ndërtime pa leje. “Me përmisimet që i është bërë ligjit ne kompensojmë pronarët e ligjshëm dhe etapa tjetër kalon me dhënien e titutjve të pronësisë. Në Tiranë kemi 12 zona të gatshme me pronarë që presin të legalizohen, gjithashtu kemi zona të veçanta në Vlorë, Durrës, Shkodër, Elbasan dhe Korçë. Pastaj, pasi të ngrihet kjo skemë, do të kalojmë në të gjithë territorin dhe do të vazhdojë procedura e kompensimit të pronarëve dhe grumbullimi i të ardhurave nga procesi”, - tha Memia. Sipas të dhënave të ALUIZN-it, 1/3 e ndertimeve informale janë vendosur në toka me pronarë të ligjshëm, 1/3 në prona publike dhe pjesa tjetër në prona të vetë pronarëve. Por ndryshe nga sa pretendon Shoqata “Pronësi me Drejtësi”, Memia thotë se, pronarët e kontaktuar drejtpërdrejtë nga Agjensia e Legalizimeve nuk kanë kundërshtuar kompensimet dhe kanë mirëpritur zgjidhjet teknike të dhëna. “Kam konstatuar se pronarët janë shumë të interesuar dhe të kënaqur nga zgjidhja që realizohjet nëpërmjet këtij procesi, duke patur parasysh edhe kofiçentët financiarë, që janë në funksion të çmimit të tregut. Ndersa shoqata, unë i respektoj dhe qëndrimet e tyre, por deri më sot shoqata nuk ka ofruar një skemë për një zgjidhje konkrete, por vetëm disa deklarime publike. Ndërsa vetë pronarët kanë raporte korrekte me ne, janë interesuar dhe ne po komunikojmë”, - tha Memia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›