PS: Berisha të bëhet garant i procesit të numërimit
Sekretari për çështjet zgjedhore në PS, Kastriot Islami në një konferencë për shtyp i ka bërë thirrje kryeministri Berisha, të largojë anëtarë të kabinetit të tij në disa qytete, pasi sipas Islamit po bllokojnë procesin e numërimit. " Kryeministri Berisha të largojë nga Elbasani ministrin Lulzim Basha që mos të bllokohet procesi i numërimit", tha Islami. Sipas tij, "situatë shqetësuese paraqitet edhe në Fier ku veprojnë ministri Sokol Olldashi dhe kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi". Sipas Islamit, në Fier nuk janë numëruar 35 qendra votimi. Sekretari për çështjet zgjedhore në PS, Kastriot Islami i ka bërë thirrje kryministrit Berisha të bëhet garant i procesit të numërimit të votave. "I bëj apel kryeministrit Berisha të bëhet garant i procesit të numërimit dhe të largojë personazhet që po bëhen shqetësues për nxjerrjen e rezultatin final", përfundoi Islami.