E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: “Do të largojmë me protesta pengmarrësin Berisha”

Autori i Lajmit: Redaksia
Partia Socialiste i kërkoi kryeministrit Sali Berisha tu kërkojë falje shqiptarëve për pozitën e vështirë ku i ka vënë me një marrëveshje e cila, sipas saj, nuk ka respektuar as Kushtetutën, po as parimet e fqinjësisë së mirë. “Vendimi i djeshëm i Kushtetueses flet për një pushtet të verbër, që për të shtatëmbëdhjetën herë kapet nga drejtësia në shkelje të Kushtetutës dhe për një kryeministër të marrë që shtatëmbëdhjetë herë rresht është zënë me presh në duar kundër interesave të vendit e kundër çdo parimi demokratik”,- deklaroi deputetja Shegush Ligori. Sipas saj, shkelja e vërtetuar e Kushtetutës për të shtatëmbëdhjetën herë në katër vjet tregon edhe me çfarë njerëzish është i rrethuar Sali Berisha, dallkaukë të paskrupullt që dinë të bëjnë vetëm korrupsion për interesat e familjes që qeveris Shqipërinë. “Shtatëmbëdhjetë shkeljet e provuara nga gjykata nuk janë, për fat të keq, të gjitha shkeljet që Sali Berisha i ka bërë Kushtetutës dhe sot ka një arsye më shumë për ta larguar me protesta këtë pengmarrës të Shqipërisë nga detyra që nuk e kryen dot përveçse duke shkelur interesat e vendit e të popullit të tij”,- tha Ligori. Sot, vijoi ajo, dëgjuam Sali Berishën teksa fliste në mbledhjen e qeverisë për kredencialet e opozitës në Këshillin e Evropës. “I kujtojmë Kryeministrit të votave të vjedhura se për të shtatëmbëdhjetën herë rresht, kredencialet e tij në raport me Kushtetutën e Republikës kanë rënë”, - tha ligjvënësja socialiste.

Ky lajm është publikuar: 28/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›