Pakti detar, Meta: “Do të respektojmë Kushtetuesen”
Autori i Lajmit: Redaksia
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, reagoi dje pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar marrëveshjen e ndarjes së ujërave territoriale midis Shqipërisë dhe Greqisë. Meta deklaroi se do të zbatojë çdo vendim që del nga institucionet e pavarura, ndryshe nga sa vepron opozita, por fillimisht të njihet direkt me vendimin e ri të Kushtetueses. “Ajo që duhet të themi është se në cilindo rast qeveria do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi kjo është një domosdoshmëri që vjen nga respekti që vjen karshi institucioneve të pavarura. Ky është dallimi esencial i lidershipit dhe kësaj mazhorance krahasuar me të tjerët, që ne respektojmë çdo vendim të institucioneve të pavarura”, - tha ai. Duke ironizuar se media sot mëson më shpejt se Qeveria vendimet e rëndësishme, në këtë rast atë të Kushtetueses, ministri i Jashtëm njëkohësisht zv.kryeministër thekson se pavarësisht vendimit, do të lexohet me vëmendje nga ekspertët çdo lloj argumentimi rreth pezullimit të Marrëveshjes me Greqinë dhe me pas do të ndiqen hapa të tjerë nëse lind nevoja. “Ne do të lexojmë me vëmendje çdo lloj argumentimi duke bërë sqarimin e duhur. Ne nuk do të bëjmë asnjë sqarim pa pasur të zbardhur vendimin në dorë të Kushtetueses”, - tha ai. I pyetur nga mediat nëse ky pezullim do të sjellë krisje në marrëdhëniet me Greqinë, Meta shprehet se nuk mund të ndodhë asgjë e tillë. “Marrëdhëniet do të ecin përpara. Cilido që dëshironte të cenonte marrëdhëniet mes dy vendeve do të mbetet i zhgënjyer”,- siguroi kreu i diplomacisë shqiptare.
Ky lajm është publikuar: 28/01/2010