PS: Duart u futën në kuti pas 14 majit. Ja provat bindëse për pavlefshmëri
Partia Socialiste, në nisje të punimeve të Asamblesë Kombëtare, ka prezantuar për të pranishmit shkeljet e gjetura në procesin zgjedhor të Tiranës. Një eksperte e saj ka paraqitur shkeljet. Sipas PS, votat janë futur në kuti pas 14 majit në kundërshtim me parimin një votues- një votë.
Ekspertët e PS kanë gjetur se janë 109 kuti me më shumë vota se votues dhe 175 kuti me më pak vota se votues. Më pas ekspertja e PS ka prezantuar disa raste tipike. Ajo tha se në ndihmë të faktimit të manipulimeve kanë ardhur filmimet e numërimit të votave në KZAZ.
Ndërkohë që kutitë kanë mbërritur në KQZ me numër të përputhur votash nga KZAZ-të, aty janë shfaqur mospërputhjet, çka tregon se manipulimet janë bërë në vendin ku janë ruajtur kutitë.
Për shembull, në qendrën e votimit 1941, numri i votave ka qenë i rakorduar kur ka mbërritur në KQZ. Por kur janë hapur kutitë sipas urdhrit të Kolegjit Zgjedhor, janë gjetur katër vota më shumë. Ndërkohë në qendrën 1758 janë gjetur gjashtë vota më shumë.
Dmth, KQZ ka hapur fjala bie qendrën e votimit 1861. Aty ka gjetur 366 fletë votimi për 366 votues në kutinë e kryetarit. Por në kutitë e tjera kanë dalë edhe tre fletë për kryetarin e bashkisë, që nuk përputhen askund. Po kështu ka ndodhur edhe në qendrën e votimit 1830, numri i zgjedhësve përputhej me numrin e fletëve të votimit. Por kur janë numëruar nga KQZ, kanë dalë pesë fletë më pak. KQZ ka kërkuar në kutitë e tjera dhe ka gjetur vetëm dy fletë. Kështu, i bie që tre fletë janë mangut.
Pas prezantimit të këtyre fakteve, ka folur edhe deputeti Damian Gjiknuri. Ai tha se kjo është arsyeja pse kërkojnë pavlefshmëri të zgjedhjeve.
KQZ nuk ka kryer hetim për të na provuar se ku qëndron ky gabim njerëzor. Në fakt kur ka të tilla mospërputhje, praktika ndërkombëtare dhe ligji ynë përcakton qartë që numri i fletëve duhet të jetë në përputhje me numrin e votuesve. Prandaj PS ka kërkuar pavlefshmëri. Edhe ligji e parasheh një gjë të tillë. Aty thuhet se kur shkeljet e ligjit ndikojnë në ndarjen e mandateve, çojnë në pavlefshmëri.
Një ekspert thotë se në rast se ka mospërputhje bëhet numërim total për të gjetur se ku qëndron gabimi njerëzor.
Të njëjtën gjë ka bërë edhe Kolegji Zgjedhor. Edhe vendimi 67 i saj thotë se mospërputhja e shifrave përbën shkak për pavlefshmëri të tabelës. Kolegji ka dhënë vendim të njëjtë për dy komuna dhe ne shpresojmë që të ruajë të njëjtat standarde dhe qëndrim.