PS, Gjoni: 20 jetet e humbura ne Bulqize, akuze direkte per kete qeveri

Tiranë, 12 Shkurt, 15:00, NOA - Partia Socialiste ka reaguar gjatë ditës së sotme, për vdekjen e minatorit në Bulqizë, ngjarje e ndodhur në orët e paradites. “Është e disata herë që Partia Socialiste e Shqipërisë ka ngritur shqetësimin serioz për kushtet skllavëruese, çnjerëzore të punës së minatorëve në minierat e Shqipërisë veçanërisht në ato të Bulqizës e Batrës”, tha Ilir Gjoni, anëtar i Asamblesë së Partisë Socialiste.
“Është e disata herë që ne denoncojmë korrupsionin dhe mungesën e masave të sigurisë në këto miniera dhe për të disatën herë qeveria ose hesht ose justifikohet pa argumente duke neglizhuar në mënyrë evidente dhe të qëllimshme çdo masë që do të parandalonte humbjen e jetës së shqiptarëve”, tha Gjoni.
Sipas tij, “sot ne jemi përsëri para jush për të denoncuar edhe një herë paaftësinë, korrupsionin, dhe indiferencën vrastare të qeverisë e cila është përgjegjëse direkte për humbjen e jetës së 20-të të një banori tjetër të Bulqizës i cili i përballur nga kushtet e rënda të mbijetesës ka qenë i detyruar, ashtu si dhe mjaft të tjerë sot, të nxjerrë bukën e gojës duke vënë në rrezik jetën”.
“Qeveria hesht dhe kjo është e pafalshme për të. Çdo vdekje në Buqlizë është aktakuza direkte e kësaj qeverie që vjen nga ky qytet. Humbja e jetës së minatorit Behar Toci nuk mund të konsiderohet më si aksidentale, ajo dhe 19 jetët e humbura më parë në këtë minierë janë kronikë e vdekjeve të paralajmëruara dhe shembull i qartë i paaftësisë, indiferencës dhe heshtjes vrastare të qeverisë”, shtoi në deklaratën e tij, Gjoni.
Anëtari i Asamblesë së PS-së, deklaroi gjithashtu se, “kjo shpjegon edhe indiferencën e kryeministrit Berisha për t'ju përgjigjur thirrjeve të Opozitës për të dhënë llogari para Kuvendit lidhur me këtë shqetësim. Asgjë nuk mund të justifikojë vdekjen e Behar Toçit. Përgjegjëse për vdekjen e tij është qeveria e Sali Berishës, indiferenca dhe korrupsioni që ka mbërthyer atë. Përgjigja e vetme dhe ekstremisht cinike e Qeverisë deri më sot ka qenë mbulimi i shpenzimeve funerale për viktimat e shkaktuara nga ajo vetë”.
“Partia Socialiste duke shprehur tërë solidaritetin e vet me familjen Toçi dhe të viktimave të tjera, garanton këtë shtresë të përvuajtur të punonjësve të Shqipërisë se kanë ngelur edhe vetëm 136 ditë për ti dhënë fund kësaj qeverisje çnjerëzore e cila nuk mendon për familjet shqiptare dhe jetën e shtetasve të saj, por vetëm për xhepat dhe interesat e familjarëve të qeveritarëve dhe oborrit të tyre”, përfundoi deklaratën, Ilir Gjoni.
c.a/NOA