Topalli: Ligji i dosjeve do zbatohet. Te hene, miratohet Komisioni i Verifikimit

Tiranë, 13 shkurt, 11:59, NOA – Ligji i dosjeve do të gjejë zbatim në Shqipëri dhe për këtë proces nuk do të ketë asnjë kthim mbrapa.
Një fakt të tillë e ka deklaruar sot kryeparlamentarja Jozefina Topalli.
Pas reagimit zyrtar të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, për të pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi ligjin e Dosjeve, kryetarja e Kuvendit ka lënë të kuptohet se qeveria nuk ka ndërmend të ndalet në rrugën që ka nisur për zbatimin e këtij ligji.
“Axhenda parlamentare nuk do të ndryshojë dhe të hënën sipas parashikimeve të bëra, do të votohet komisioni për verifikimin e fifurave”, ka deklaruar Topalli.
Sipas saj, Asambleja e Këshillit të Evropës do të sqarohet përmes një letre që Kuvendi shqiptar tashmë e ka bërë gati dhe procesi do të marrë rrugën e nisur pas miratimit të ligjit të dosjeve, pa kryer asnjë vonesë dhe pa pritur askënd.
Topalli tha se ligji në fjalë prek persona në konflikt interesi, teksa ka ritheksuar se do të zbatohet me afate të shkurtra kohore
Dje, Asambleja e Këshillit të Evropës deklaroi zyrtarisht se Shqipëria nuk duhet të nxitohet me zbatimin e ligjit të dosjeve.
Pas përfundimit të misionit faktmbledhës së dy raporterëve të tij në Tiranë, gjatë dative 9-11 shkurt, ky organizëm tha se ligji paraqet probleme ndaj duhet të rishikohet për zbatimin e tij.
Këtë fakt e ka mbështetur edhe ambasadori britanik dhe ambasadorja çeke në Tiranë përmes prononcimeve të tyre për shtyp gjatë ditës së djeshme.
n.e/NOA