E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Gjyqtarja Fatime Decolli në shkelje të ligjit, mbron militantin e Berishës

TIRANË- Partia Socialiste ka akuzuar gjyqtaren Fatime Decolli se ka hedhur padrejtësisht dhe për arsye politike kërkesën e deputetit socialist Sajmir Tahiri, për përjashtimin e saj në cështjen me të paditur deputetin Saimit Tahiri dhe paditës zv/Drejtorin e Policisë së Shtetit, Agron Kulici. 

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka reaguar duke i konsideruar proceset gjyqësore ndaj deputetëve të PS si procese të motivuara e montuara politikisht nëpërmjet gjyqtarëve militant që shkelin mbi drejtësinë e mbi ligjin për llogari të shefave politik të pushtetit dhe qeverisë, duke degraduar njëkohësisht gjyqësorin dhe drejtësinë.

“Deputeti Saimir Tahiri kërkoi përjashtimin e saj me argumentin se “në një proces gjyqësor kundër një funksionari publik, ish roje i Kryeministrit aktual e njëkohësisht një eksponent i njohur i PD, nuk mund të më gjykojë bashkëshortja e një tjetër funksionari publik dhe eksponenti të lartë të PD”. Megjithëse Kodi i Procedurës Civile (Neni 74, pika 2) parashikon shprehimisht mundësinë për të kërkuar përjashtimin e gjyqtares sapo njëra nga palët vihet në dijeni të faktit që mundëson përjashtim, dhe në këto raste përjashtimi gjyqtares është taksativ, gjyqtarja Deçolli, në mënyrë absurde dhe në shkelje të plotë të ligjit, vendosi të mos përjashtohet, por të vazhdojë të zhvillojë ajo vetë gjyqin e nisur nga një militant i pushtetit të PD kundër një deputeti të opozitës”,- thuhet në reagimimin e grupit parlamentar të PS.

Ndërkohë, Partia Socialiste denoncon faktin se janë "mbi 10 deputetë të opozitës që sot i janë nënshtruar proceseve gjyqësore me paditës eksponentë politikë të lartë të PD dhe qeverisë së kryeministrit Berisha".

“Instrumentalizimi i gjyqësorit dhe gjyqtarëve për t’u përdorur si kamzhik politik ndaj deputetëve të opozitës, është dëshmia më e qartë e abuzivizmit të pushtetit dhe uzurpimit të sistemit të drejtësisë, siç është shenjë e qartë e nënshtrimit të gjyqësorit dhe gjyqtarëve të veçantë, të tillë si Fatime Deçolli dhe të tjerë kolegë të saj, ndaj korrupsionit dhe interesave klienteliste e politike ngushtësisht të lidhura me PD dhe qeverinë e sotme”,- theksohet në reagimin e PS.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›