E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qytetarët do të vendosin për projektin e Bulevardit

Në ditën e dytë të konkursit për përzgjedhjen e projektit të Bulevardit dhe rehabilitimit të lumit të Tiranës, arkitektët e studiove DAR dhe Grimshaw u janë përgjigjur  pyetjeve të bëra nga anëtarët e grupit strategjik të Planit Urbanistik dhe pyetjeve të adresuara nga  qytetarët, gjatë periudhës një mujore, që maketet u ekspozuan në Muzeun Historik Kombëtar.

“Ne ndodhemi shumë afër finishit të kësaj gare, e cila ka pasur si garues, ndër atletët më të shquar të arkitekturës botërore, megjithatë gara nuk ka përfunduar. Ne u japim sot mundësi qytetarëve të Tiranës, të jenë jo thjesht pjesëmarrës por edhe bashkëvendimarrës, në këtë vendim të jashtëzakonshëm për të ardhmen e qytetit të tyre. Impakti që projekti ka është një impakt kombëtar dhe kjo është arsyeja se pse që nga gjeneza e projektit, kemi marrë inkurajimin dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare, në veçanti të Kryeministrit të Shqipërisë dhe kjo është edhe arsyeja se pse si kryetar i Bashkisë, unë ndihem shumë i nderuar që ai ndodhet sot këtu”, u shpreh Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha.

Në fjalën e tij, Kryeministri Sali Berisha duke nënvizuar se kryeqyteti duhet të shprehë shpirtin dhe vokacionin e kombit, theksoi se Tirana e shekullit të 21-të duhet të rivendosë në qendër qytetarin. “Sot do vendoset për Tiranën metropol, që me dinjitet të shëmbëllejë, të bashkëpunojë me metropole të tjera evropiane. Ky është kusht themelor i ekzistencës. Kryeqyteti duhet të shprehë shpirtin e kombit, duhet të shprehë vokacionin e kombit, kryeqyteti i këtij shekulli duhet të rivendosë dhe njëherë në epiqendër qytetarin. Një nga historianët më të mëdhenj në kohëra, kontraversal në disa aspekte, por gjeni në disa mendime, thotë se qyteti  që nuk ka hapin e njeriut, është i lemerishëm, ndaj dhe uroj  që të kihet parasysh shumë kjo gjë”, theksoi Berisha.

Kryeministri ka ofruar mbështetjen e qeverisë për ndërtimin e Tiranës moderne europiane, mbështetje e cila siç tha Kryeministri, i është dhënë edhe parardhësit të zotit Basha. “Tirana është ëndrra jo vetëm e qytetarëve të Tiranës, por është ëndrra e mbarë shqiptarëve dhe shndërrimi saj në realitet, do të bëjë që Tirana të jetë krejtësisht tjetër. Do të bëjmë gjithçka që qytetarët e Tiranës të prekin, të shijojnë, të kapin, të vështrojnë, të sodisin të gjithë “entourage” -in e qytetit. Qeveria është e vendosur t’ju mbështesë plotësisht. Qeveria ka qenë e gatshme të mbështesë edhe pararendësin tuaj, por ai kishte interesa të tjera dhe jo ato të qytetarëve të Tiranës, ndaj dhe unë ju garantoj se do të mbështesim fuqishëm projektet e transformimit të Tiranës në një metropol evropian, të denjë për shqiptarët dhe kombin shqiptar” , u shpreh z.Berisha. /Start/

                                                                                             2012-05-15 16:04
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›