PS: INSTAT gënjen dhe fsheh të dhënat, rënia ekonomike është shumë më e madhe
Partia Socialiste ka reaguar pasditen e sotme pas raportit ekonomik të tremujorit të parë të 2012 nga Instituti i Statistikave. Në një deklaratë për shtyp, Sekretari për Programin i kësaj partie, Ilir Beqja u shpreh se raportimet e INSTAT nuk figurojnë të vërteta, pasi sipas tij rënia ekonomike është akoma më e madhe.
Pas deklarimeve të disa institucioneve të rëndësishme për gjendjen e vështirë ekonomike të vendit, më në fund, edhe pse disa ditë me vonesë ndaj kalendarit zyrtar, Instituti i Statistikave nuk mund të fshehë të vërtetën e ekonomisë shqiptare.
Në tremujorin e parë të vitit 2012 ekonomia shqiptare ka, zyrtarisht, rënie qoftë kundrejt tremujorit paraardhës, qoftë kundrejt tremujorit respektiv të vitit 2011.
Kur INSTAT, alias Instituti i Gënjeshtrave të Saliut, pranon që ekonomia ka rënie vjetore 0,2 %, shqiptarët e kuptojnë lehtë sesa më e madhe është kjo rënie.
Rënien më të madhe e ka industria me 19,3 %. As Shqipëria superfuqi energjetike sipas Saliut, as rritja e investimeve te huaja nuk mjaftokan që industria jonë të rritet.
Sali Berisha u rrek të justifikohet para deputetëve të partisë së tij se ekonomia ka vuajtur nga dimri të vështirë e me thatësirë të zgjatur.
Ndërtimi ka rënie dyshifrore. Vallë dimri i rëndë e pengoi këtë sektor të mos zhvillohet?!
Ndërsa telekomunikacioni plotëson një periudhë 2 vjeçare me rënie të përsëritur çdo tremujor, duke kundërshtuar kështu edhe mrekullinë tjetër të Saliut, atë të Shqipërisë digitale. Po telekomunikacionin, thatësira e ka bërë që të jetë në rënie kaq gjatë?!
Të dhënat për rritjen ekonomike tremujore tregojnë edhe mënyrën spontane të zhvillimit të ekonomisë sonë.
Për ne si opozitë, por edhe për publikun shqiptar, për sipërmarrësit dhe për buxhetet familjare shqiptare, kjo gjendje e ekonomisë së vendit nuk është e rastësishme.
Është produkt i politikave të gabuara ekonomike qysh kur Saliu qeveris, është produkt i korrupsionit dhe i kapjes së shtetit, por është produkt edhe i paaftësisë për të njohur krizën, pranuar krizën dhe për të bërë detyrën e çdo qeverie të përgjegjshme, të marrë masa dhe veprime antikrizë.
Ekonomia duhet të rimëkëmbet!
Ne jemi gati! tha Beqja.
