SHENIM/ Kjo është humnera!
Kur e keni dëgjuar për herë të fundit kryeministrin shqiptar që të flasë për një vend demokratik, të lirë, ligjor, të drejtë? Natyrisht nuk mbahet mend sepse gjithmonë flet për ekonominë. Nuk ka rëndësi kush i del përpara, ai sërish flet në ajër. Njëherë thotë se jemi si Gjermania për ekonominë, më pas thotë se kemi lënë pas një duzinë vendesh të BE për ndërtimet, kurse sot tha se për pagat i kemi lënë pas disa vende të BE.
Dukej që kishte merak ti përgjigjej në mënyrë indirekte ambasadorit danez, që lëshoi disa bomba në një intervistë të dhënë për revistën JAVA. Ai deklaroi se ekonomia është drejt humnerës për shkak të borxheve, ndërkohë që arka e shtetit është bosh. Po ashtu ambasadori danez tha se kompanitë e huaja nuk afrohen në vend për shkak të korrupsionit.
Berisha pikërisht sot tha se për një vit Shqipëria ka marrë plot 1 miliard dollarë investime të huaja. Tani të kuptohemi, nuk e tha Berisha, e kishte thënë një raport i huaj. Se ky kryeministri ynë bashkë me Boden nuk kanë as shifër e statistikë, por duhet tua thotë ndonjë Artan Hoxhë se sa i ke investimet e huaja. Berisha tha se këto 1 miliard dollarë investime janë edhe vende pune. Sipas tij, një vend pune është pak a shumë 10 mijë dollarë. Kupto: në Shqipëri janë hapur 100 mijë vende të reja pune në një vit. Pastaj vetë tha se rritja e punësimit është e moderuar.
Më vonë doli INSTAT dhe deklaroi rënien ekonomike, por pa pranuar recesionin. Deklaroi se punësimi në Shqipëri është rritur me nja … 1 mijë vende që nga viti 2005, kur Berisha erdhi në pushtet. Dhe kur e thotë INSTAT që ka rënie ekonomike, duhet të ketë ndodhur gjëma. Ndërtimi dhe industria, dy sektorë të rëndësishëm janë në rënie të madhe, ndërkohë që shumë dobët paraqitet edhe sektori i telekomunikacioneve. Me pak fjalë Shqipëria dixhitale, për të cilën Berisha flet çdo ditë.
Kjo është humnera!
