E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Ilir Meta, diversion ndaj PS

 

Selia rozë reagoi menjëherë pas deklaratës së kreut të LSI-së, duke e cilësuar atë diversion ndaj PS-së. Zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj, tha dje se “Ilir Meta nuk çudit më askënd me deklaratat e tij kundër PS, sepse tashmë ai flet për llogari të Sali Berishës dhe që të dy, bashkë me Fatos Nanon, duan me çdo kusht ta kthejnë PS në një vegël të qeverisë duke e futur në parlamentin e votave të grabitura”. “Ilir Meta, njeriu që mashtroi 83 mijë zgjedhësit që donin largimin e Kryeministrit të Gërdecit, duhet ta kuptojë ashtu si dhe Sali Berisha, që PS nuk hyn në parlament pa u garantuar transparenca e zgjedhjeve të papranueshme të 28 qershorit”, tha Imeraj. Sipas zëdhënëses së selisë rozë, “nxitja e diversioneve të konflikteve artificiale për të dobësuar PS nga ana e Sali Berishës, Ilir Metës dhe Fatos Nanos, nuk e ndryshon dot qëndrimin e socialistëve e të të gjithë popullit opozitar ndaj një parlamenti të marrë peng me manipulime e me korrupsion elektoral”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›