E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Jemi për proporcional rajonal, rebelohen të vegjlit

Referendum në anëtarësinë e PS për përcaktimin e sistemit zgjedhor si qëndrim të kësaj partie, është propozimi i fundit që vjen nga radhët e PS, konkretisht nga deputeti i kësaj partie, Petro Koçi. Njëherësh, ai propozon që listën e kandidatëve për deputetë të mos e përcaktojë kryetari i partisë, por anëtarësia me votën direkte të saj, gjë e cila do të konkretizonte vendimmarrjen e plotë nga ana e anëtarit të partisë. “Për t’i dhënë një zgjidhje institucionale debatit të brendshëm në PSSH lidhur me alternativën e partisë për sistemin zgjedhor, duhet që vendimin ta marrë anëtarësia e PSSH. Asambleja Kombëtare, sipas statutit, organizon votimin e drejtpërdrejtë të anëtarësisë. Nëse duam ta bëjmë praktik vullnetin, sipas të cilit pushtetin vendimmarrës tashmë e ka anëtari i partisë, atëherë besoj se ky propozim do pranohet menjëherë. Ndryshe nga kryesia e partisë, unë mendoj se në listën e kandidatëve që do propozojë PSSH për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, rreshtimin të mos e bëjë kryetari, por elektorati me votën e vet. Sidoqoftë, vendimin përfundimtar për këtë çështje duhet ta marrë anëtarësia e partisë. Shpresoj që ky propozim të mirëkuptohet nga forumet e PSSH”, - tha dje Koçi. Ndërsa në mbledhjen e kryesisë së PS dy ditë më parë është vendosur që kjo parti të paraqitet në negociata me mazhorancën me një sistem zgjedhor proporcional rajonal. Këtë e deklaroi dje zyrtarisht zëdhënësja e Kryesisë së kësaj partie, Mimi Kodheli.

Qëndrimi
“Kryesia e Partisë Socialiste në mënyrë unanime ka shprehur bindjen se është koha për të kaluar nga një sistem kushtetues me zona një-emërore në një sistem kushtetues me zona shumë emërore.
Kryesia gjithashtu ka nënvizuar faktin se Partia Socialiste do të jetë e hapur për të diskutuar llojin e propocionalit rajonal që përmbush më mirë interesin e lartë të vendit për një reformë të sistemit politik në Shqipëri, duke u ndarë njëherë ë mirë nga një rrugë procesesh të deformuara zgjedhore, që kanë kompromentuar rëndë përfaqësimin e bindjeve dhe opinionet e zgjedhësve në Shqipëri, duke cenuar cilësisht vullnetin e popullit”, - tha dje zëdhënësja e kryesisë së PS, Mimi Kodheli. Ajo u shpreh gjithashtu, se kryesia vlerësoi nevojën e konsolidimit të rolit lider të Partisë Socialiste në kryerjen e reformave dhe në përmbushjen e angazhimeve ndaj vendit dhe partnerëve ndërkombëtarë. Kodheli theksoi se PS ende nuk ka përcaktuar një qëndrim përfundimtar për llojin e proporcionalit rajonal. “Nga ana tjetër, në Kryesinë e Partisë Socialiste nuk është përcaktuar asnjë preferencë e veçantë për llojin e propocionalit rajonal dhe të gjitha insinuatat apo komentet e bëra, ditët e fundit, që i mveshin Partisë Socialiste qëllime të tjera nga qëllimet e bëra publike të kësaj reforme, janë tërësisht të gënjeshtërta”, - tha dje Kodheli. Ajo konfirmoi gjithashtu qëndrimin e pandryshuar të kryesisë së PS, sipas të cilit, listat e hapura janë të papërshtatshme dhe në kundërshtim të plotë me rekomandimet e OSBE/ ODIHR. “Kryesia e Partisë Socialiste ka rikonfirmuar gjithashtu qëndrimin lidhur me listat e ashtuquajtuara të hapura, të cilat për socialistët janë krejtësisht të papërshtatshme dhe në kundërshtim të plotë më gjithë kuadrin e rekomandimeve të OSBE/ ODIHR, si dhe me mësimet e nxjerra nga eksperiencat ndërkombëtare, por në radhë të parë nga vetë eksperiencat e proceseve në Shqipëri”, - tha Kodheli.

Deklarata
Për të njëjtën çështje kryetarja e grupit parlamentar të PS, Valentina Leskaj, tha dje se sistemi proporcional rajonal i vendosur në mbledhjen e kryesisë së PS dy dytë më parë, shmang tjetërsimin e votës së shqiptarëvë dhe garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Sistemi aktual është një sistem i padiskutueshëm më. Jemi drejt një opsioni të një sistemi proporcional rajonal, natyrisht, dhe kalimin nga zona me lista një emërore në zona me lista shumë emërore. Ky lloj sistemi do t’i shërbejë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri dhe në fund të fundit, shmang mundësinë e transferimit, tjetërsimit të votës, apo abuzimin me votën e shqiptarëve”, - tha dje Leskaj. Lidhur me qëndrimin e aleatëve të PS për reformën zgjedhore, Leskaj tha se PS është në pritje të propozimeve të partive aleate të PS për reformën zgjedhore. “Jemi të hapur dhe jemi në pritje të reflektimit të diskutimit dhe të bashkëpunimit me të gjithë aleatët tanë në opozitë. Jemi në pritje, që ata të vijnë me propozimet e tyre për t’u diskutuar, por, siç e thashë, sistemi aktual nuk diskutohet më”, - tha Leskaj.

Partitë e vogla deklarojnë kushtet për reformën

Listat e hapura, mosprekja e pragut elektoral dhe baraspeshimi 70 me 70 i mandateve mazhoritare dhe atyre proporcionale janë pikat e tjera të kërkuara nga të vegjëlit, janë disa prej kushteve që kanë vendosur dhjetë partitë e vogla parlamentare, dy partive të mëdha, PD e PS. Krerët e dhjetë partive parlamentare u mblodhën dje në një tryezë për të vendosur qëndrimin e tyre të përbashkët përballë aleancës PS-PD për reformën zgjedhore. Në deklaratën e tyre të përbashkët theksohet se dhjetë partitë kundërshtojnë dhe bllokojnë çdo iniciativë ligjore që do të sillet në Kuvend për reformën zgjedhore pa konsensusin e tyre nga demokratët e socialistët. “Duam një demokraci të avancuar e funksionale si në vendet e BE, apo duam një demokraci si e PD dhe PS ? Kjo është pyetja”, - tha dje deputeti i LSI, Pëllumb Xhufi. Republikani Arian Madhi, i pranishëm në këtë tryezë, tha se ky është një sinjal i bashkëpunimit për një reformë të suksesshme. Ndërsa kryetari i PSD, Skënder Gjinushi, u shpreh se sistemi elektoral duhet të jetë produkt i konsensusit. Iniciatorja e këtij drafti, Partia Aleanca Demokratike, ka ftuar PS e PD t'i rikthehen dialogut me partitë e vogla, duke iu dhënë fund kulisave. “Ftojmë PS dhe PD të vazhdojnë dialogun për reformën në institucionet e caktuara për këtë qëllim. As imponojme e as presim imponime”, - tha dje Ceka.

Patozi: Të diskutosh një sistem të afërt me aktualin, do thotë të pranosh Dushkun

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, u shpreh se “Partia Demokratike do të pranojë çdo lloj sistemi zgjedhor që do të propozojë opozita, por sigurisht që i takon forumeve të PD për të vendosur mbi modalitetet dhe detajet e këtij procesi”.
“Pozicionimi zyrtar i PS për një sistem të caktuar, mund ta orientojë më drejt debatin për reformën zgjedhore në Shqipëri, pasi, për hir të së vërtetës, duhet të themi se ky debat ka ndjekur rrjedha shumë të çuditshme, gati qesharake”, - deklaroi z. Patozi.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit mbi këtë reformë, z. Patozi tha se “është kaluar nga entuziazmi për proporcionalin, në skepticizmin për mazhoritarin, është kaluar nga Gjermania në Spanjë dhe nga Maqedonia jemi kthyer sërish në Tiranë”.
“Të diskutosh sot për një sistem të afërt me këtë që kemi, do të thotë që të pranosh Dushkun, do të thotë që të mos pranosh reformën dhe kjo është një fyerje për të gjithë qytetarët shqiptarë, është një fyerje për politikën, por edhe për aleatët tanë euroatlantikë, të cilët reformën zgjedhore e kanë si një nga kushtet e Shqipërisë për integrimin”, - tha zoti Patozi.
Sipas tij, “të pretendosh që të mbash këtë sistem që kemi me amendime të lehta, do të thotë që në njëfarë mënyre të hedhësh poshtë të gjithë reformën zgjedhore”. “Nga ana tjetër, ka disa lëvizje politike që shkojnë në kundërshtim me atë që deklarohet dhe me atë që thuhet”, - tha zoti Patozi.
Në lidhje me koalicionin e ri të sapoformuar nën siglën ‘E majta për Integrim’, zoti Patozi u shpreh se “po të lexohet drejt ky koalicion, me fjalë të tjera do të thotë një parapërgatitje e disa partive për një sistem proporcional me prag të lartë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›