E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligj kundër “Dushkut” dhe fenomenit “demokristian”

Debati rreth ligjit elektoral po zbulon qartë thelbin e problemit që është krijuar në vite me mungesën e përfaqësimit real në parlament. Për gati 14 vjet mbeti e pazgjidhur jo aq pa dëshirë çështja e ndarjeve të mandateve të proporcionalit. Në vitin 2001, u bë tentativë zyrtare që mandatet të dyfishoheshin përmes lojës me kandidatët e pavarur, por, pas anulimit të saj në minutat e fundit, ata u shumëfishuan nga e kundërta e fenomenit të kandidatëve të pavarur, nga rritja artificiale e partive të vogla. Fenomeni që u pagëzua “Dushku” për shkak të nxjerrjes së dhjetë deputetëve në një zonë elektorale, u thellua në mënyrë të vetëdijshme në vitin 2005 me shitjen e siglës së partive të mëdha për parti fantazma dhe sot jemi përpara një deformimi klasik të përfaqësimit politik në Shqipëri. Por, pas vitit 2005, në vitin 2006, në skenën politike shqiptare u shfaq dhe një fenomen i ri, jo i panjohur në botë, fenomeni “demokristian”. Një grup deputetësh të partive të ndryshme u bashkuan për t’i bërë presion qeverisë, duke e kërcënuar atë më rrëzim dhe arritën të formojnë një grup parlamentar në emër të një partie që nuk ishte votuar në këto kuota dhe hynë në qeveri. Fenomeni, i cili është një rast klasik i trafikut të votave në Kuvend, në fakt, degradoi dhe vetë objektivat e qeverisë për të mos u lëkundur përballë presionit për korrupsion, pasi profili i deputetëve që gjunjëzuan qeverinë është shumë i lexueshëm. Ata janë një grup njerëzish që në mënyrë të sinqertë thonë: “Ose do të përfitojmë, ose do të rrëzojmë qeverinë.” Dhe qeveria ka pranuar shantazhin e tyre. Tani që debati elektoral po vërtitet rreth zhdukjes së fenomenit të “Dushkut”, duhet doemos të përqendrohet dhe te zhdukja e fenomenit “demokristian”. Përderisa po shkohet qartazi drejt sistemit rajonal proporcional, pra drejt një sistemi ku votohet sigla e partisë, jemi para një ndryshimi cilësor në skenën politike. Tani e tutje, deputetët do të jenë njerëz profesionistë, natyrisht luajalë me kryetarët e partive dhe do të marrë shumë herë më tepër kuptim disiplina partiake. Meqë deputetët do të jenë produkt i vullnetit politik të partisë më shumë sesa i personalitetit të tyre, duhet doemos që në ligjin elektoral të shtohet një nen, i cili ndalon krijimin e grupeve të reja parlamentare që nuk kanë konkurruar në zgjedhje. Kështu, nëse ndonjë deputet hyn në konflikt me partinë dhe kërkon të ikë prej saj, është i lirë të ikë, por vendi i tij në Kuvend duhet të zëvendësohet nga lista e partisë që e ka bërë deputet. Ky nen shmang trafikun e deputetëve në Kuvend dhe ndalon lëvizjen për interesa personale nga një grup parlamentar në tjetrin. Duke qenë se sistemi është në thelb proporcional, është e natyrshme që betejat të zhvendosen në parti. Aty le të forcohen rregullat e lojës dhe standardet demokratike, kurse shqiptarët duhet të dinë për kë votojnë.
Në historinë e parlamentarizmit shqiptar fenomeni i trafikut real të deputetëve mund të kthehet në histori të pafundme shantazhi kundër koalicioneve që marrin mandat të brishtë për programin e tyre dhe Shqipëria nuk ka për të qenë kurrë stabël. Nuk dua të diskutoj për të mirat dhe të këqijat e partitokracisë dhe fuqizimit real të dy liderëve kryesorë. Kjo është çështje standardesh demokratike që duhet të vendosen brenda partive. Në thelb, të gjithë jemi të lirë ta kundërshtojmë dhe ta luftojmë diktimin e listës për njerëz anonimë, pasi në thelb asnjë lider nuk ka interes të humbasë, duke prodhuar një listë të pavotueshme. E vërteta është se rritet mundësia për më shumë qoka nga dy kryetarët dhe natyrisht rritet dhe autoriteti i tyre brenda partisë, por sistemi në finale funksionon dhe ata që duan ta përdorin partinë vetëm për interesat e tyre, ndëshkohen nga elektorati dhe shkojnë në shtëpi. E rëndësishme është që njerëzit të shikojnë në Kuvend listën, për të cilën kanë votuar dhe në vendin dhe partinë për ku janë votuar. Një nen i tillë natyrisht do të ishte më i vështirë të vihej, nëse do kishim një sistem të pastër mazhoritar, ku do të votohej personi. Në atë rast ai ka të drejtë të vendosë vetë për pozicionin e tij. Por, në këto kushte, ndalja e trafikut të deputetëve është po aq e rëndësishme sa ndalja e fenomenit të “Dushkut”. Bilé, në vende me demokraci ende të pakonsoliduara si Ukraina, një fenomen i tillë rrëzoi qeverinë dhe krijoi krizë gati njëvjeçare. Është mirë që t’i dalim përpara këtij fenomeni negativ dhe të mos kthehet në traditë fenomeni “demokristian”, për të cilin ekziston një konsensus popullor që është produkti më i sukesshëm që ka prodhuar në jetën politike shantazhi i një grupi deputetësh për interesa të qarta private.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›