E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rasti për qartësim

Pse i jep Perëndimi Kosovës pavarësi, kur refuzon të njohë Transdniestrinë, Osetinë Jugore dhe Abkhazinë? Këto tri vende janë formalisht të pavarura, së paku në sytë e tyre, dhe kanë qenë për shumë vite.
Në shikim të parë duket si një rast i qartë i standardeve të dyfishta të Perëndimit. Shqiptarët kosovarë nuk duan të jenë nën udhëheqjen serbe, njëlloj si abkhazët që nuk ndihen si gjeorgjianë apo transdniestrianët si moldavë. Ata e kanë vendosur statusin e tyre me forcë të armëve dhe e kanë ngulitur këtë gjatë dhjetë vjetëve të kuazi pavarësisë. A nuk është tregimi i vërtetë vetëm një lojë fuqie e Amerikës në Evropë, që dënon Serbinë dhe shpërblen të vetmit myslimanë pro amerikanë në botë?
Askush nuk mund të mohojë se llogaritje të tilla kanë ndikuar në vendimmarrje. Por dallimi i vërtetë është një gjë tjetër.
Kosova dëshiron t’i bashkohet Bashkimit Evropian. Kaq është e qartë, sado keq që udhëhiqet tani Kosova dhe sado gangsterizëm dhe etnonacionalizëm që mund të lulëzojë atje nën udhëheqjen kuturu të së ashtuquajturit komunitet ndërkombëtar. Kosova nuk dëshiron t’i bashkohet, le të themi, Turqisë në një “Kalifat Otoman” të ri. Bilé, as nuk është e interesuar në krijimin e “Shqipërisë së Madhe”. Kjo bën një dallim të madh. Transdniestria, Abkhazia dhe Osetia Jugore nuk po nënshkruhen për vizionin euroatlantik të sigurisë së shumanshme dhe lirisë politike të qeverisur nga ligji. Prioriteti kryesor i elitave udhëheqëse atje është vetë pasurimi, i përcjellë nga së paku një përkushtim retorik për integrim më të afërt me Rusinë (një qëllim, të cilin Kremlini e mbërthen në teori, por bëhet tejet i kujdesshëm, kur vjen në pyetje praktika).
Perëndimi ngurron ta thotë këtë kaq hapur, por kjo bën një dallim. BE po dërgon mijëra avokatë, prokurorë dhe policë në Kosovë, në atë që mund të quhet si aventura më ambicioze kolonialiste e kontinentit në dekada. Ky “imperializëm i butë” krijon së paku një shans të suksesit për pavarësinë e Kosovës.
Kjo ende mund të dalë nga binarët. Bosnja po copëtohet sërish; Maqedonia ende duket e brishtë; dhe Rusia nuk kishte mundur të gjente një tokë më fertile për dinakëri, me Evropën e ndarë dhe të pavendosur. Por ia vlen të provohet. Krahasoni këtë me Transdniestrinë apo Abkhazinë. Paramendoni se Rusia dhe një tufë shtetesh të tjera – Bjellorusia, Uzbekistani, Armenia dhe le të themi Venezuela - kanë vendosur t`i njohin këto shtete të vogla përçarëse. Është pothuajse qesharake të paramendohet çka do kishin mundur të ofronin kësi përkrahësish nga jashtë për promovimin e rendit, ligjit dhe qeverisjen e mirë. A do të ofronte Hugo Chavezi i Venezuelës policë? A do të sillte Rusia prokurorë, apo Uzbekistani të fillonte t’i mësonte punonjësit civilë abkhazë për eqeverisjen? Kjo është dobësia në zemrën e të gjitha orvatjeve të politikës së jashtme të Kremlinit në shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik. Ofron shumë për elita. Disa kënaqin mirëseardhje luksoze dhe diktatura fitimprurëse. Të tjerët marrin bashkëpunim të inteligjencës dhe shitje të armëve të përparuara. Por Rusia ka shumë më pak të ofrojë nga pikë pamja e publikut. E vërtetë, ofron pasaporta dhe një pasaportë ruse nuk është e pavlefshme.
Por mbijetimi i sistemit propiska nga epoka sovjetike (rregullore e dizenjuar për të kontrolluar lëvizjet e brendshme të qytetarëve, duke i lidhur ata me vendlindjen apo vendbanimin), do të thotë se nuk jep të drejtën e çmuar të jetesës dhe punimit në Moskë. Madje, edhe aleatët më besnikë të Kremlinit nuk mund t’iu ofrojnë këtë qytetarëve të tyre si punë të kryer. (Duhet pranuar, vizat Schengen dhe amerikane ende janë turpërisht vështirë të merren, madje edhe për qytetarët e ish-kombeve të robëruara që janë besnikërisht euroatlantikë nga jashtë).
Ajo që BE nuk do të thotë, por e mendon privatisht, është kjo: Ne po e përkrahim pavarësinë e Kosovës për shkak të shansit që do të bëhet më shumë si ne, pra, edhe një fqinj më i mirë. Ne kundërshtojmë pavarësinë për Transdniestrian e të tjerë, sepse kjo do t’i bënte më shumë si Rusia, andaj më të këqija për Evropën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›