E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Kastraveci i detit të mbrohet me ligj

Komisioni i Veprimtarive Prodhuese

Nënkryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese dorëzon propozimet.

Amendamentet për ligjin e peshkimit: Të ndalohet gjuetia.

Partia Socialiste ka depozituar dje në Kuvend një sërë amendimesh për projektligjin e Ministrisë së Mjedisit për sektorin e peshkimit. Me anë të nënkryetarit të Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Eduard Shalsi, të majtët kanë kërkuar nga Komisioni që kastraveci i detit të shtohet në listën e llojeve të organizmave nënujorë që u ndalohet peshkimi. Pikërisht ky organizëm ujor ka qenë shkak i një debati të nisur në tryezën për mjedisin, të organizuar nga Partia Socialiste gjatë prezantimit të programit për një Rilindje Shqiptare. Kryesocialisti në këtë tryezë ka ngritur shqetësim për mospërfshirjen e kësaj specieje në listën e organizmave që mbrohen nga peshkimi i paligjshëm. Kolothurrja quhet një specie e mbrojtur nga të gjitha konventat ndërkombëtare, është një specie e përfshirë në listën e kuqe të specieve të rralla. Për një paradoks që lidhet me fundin e këtij ilustrimi, në shqip mund të përkthehet kastraveci i detit. E pikërisht këto ditë është kontaktuar një firmë e quajtur Denis Patëllxhan, që do të vijë me anije dhe me polumbarë dhe do të shkulë 2000 copë në ditë nga kjo specie e rrezikuar. Deri në fund të detit, deri aty ku nuk shkon kurrë mendja normale e njeriut, Denis Patëllxhani do të godasë për të shkrirë çfarë deri tani ka kapur imagjinata, u shpreh Rama në tryezën me socialistët.
Amendimet e nënkryetarit të Grupit të PS-së, Eduard Shalsi, iu dorëzuan ekspertëve të Ministrisë së Mjedisit, të cilët do ti analizojmë dhe do të paraqesin në mbledhjen e ardhshme qëndrimin e Ministrisë për pranimin apo rrëzimin e tyre. Ndalimi i peshkimit të disa llojeve të organizmave ujorë; Në pikën 1: pas shkronjës f të shtohet shkronja g si vijon: g) kastravecët e detit; në fund të shtohet paragrafi si vijon: Lloje të tjera që mund të identifikohen si të rrezikuara, i shtohen kësaj liste me vendim të Këshillit të Ministrave, thuhet në amendimet e socialistit Shalsi. Në raportin e deputetit socialist janë evidentuar dhe sërë gabimesh që sipas Shalsit përbëjnë nonsens ligjore që pritet të diskutohen ditën e premte.

Ndryshimet e propozuara nga PS
Neni 51

Titulli të bëhet Ndalimi i peshkimit të disa llojeve të organizmave ujorë;
Në pikën 1:
Në shkronjën a, fjala Krani të zëvendësohet me fjalën Korani;
Pas shkronjës f të shtohet shkronja g si vijon: g) kastravecët e detit;
Në fund të shtohet paragrafi si vijon: Lloje të tjera që mund të identifikohen si të rrezikuara, i shtohen kësaj liste me vendim të Këshillit të Ministrave;
Pika 2 të hiqet;
Pika 3 të riformulohet si vijon: 3. Ministri, me autorizim të veçantë, lejon peshkimin e organizmave ujorë të parashikuar në pikën 1 të këtij neni, vetëm për qëllime studimore e kërkimore;

Neni 55
Pika 1 dhe 2 të bashkohen të riformuluara si vijon: 1. Autorizimi për peshkimin amator dhe për peshkimin turistik mund të jetë afatgjatë ose afatshkurtër;
Në pikën 3, fjalët me qëllim të zëvendësohen me fjalën për dhe në fund të saj të shtohet kjo fjali: Shtetasit e huaj që nuk janë pjesë e këtyre shoqatave, kanë të drejtë të aplikojnë dhe të pajisen vetëm me autorizime afatshkurtra.

Debati në PS
Debati i socialistëve për rëndësinë e mbrojtjes së kastravecit të detit ka qenë zanafilla e një debati në distancë midis kryesocialistit Rama dhe deputetit Ilir Gjoni. Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë ka ironizuar qëndrimin e Edi Ramës, që sipas tij i kushton më shumë rëndësi organizmave nënujorë sesa miratimit të ligjit për kufirin detar me Greqinë. Përveç kastravecit të detit, që është i rëndësishëm, siç e tha dhe lideri PS-së dje, besoj se dhe çështja e kufijve është akoma më e rëndësishme për tu mbrojtur nga kastravecët e papërgjegjshëm, ka ironizuar Ilir Gjoni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›