Berisha: Kutitë i hap vetëm Gjykata
Kreu i maxhorancës kundërshton propozimin e PS për ankimimin e procesit zgjedhor nga dy anëtarë në KQZ.
Gjiknuri: Kryeministri bën presion me reformën për Presidentin.
Kryeministri Berisha hodhi poshtë dje për herë të parë propozimin e PS për dhënien e çdo materiali zgjedhor dy anëtarëve të KQZ-së sa herë ata e kërkojnë.
Duke folur në mbledhjen e qeverisë, kreu i maxhorancës tha se është Gjykata ajo që merret me procesin e ankimimit, pasi sipas tij, procesi zgjedhor mund të zvarritet pafundësisht. Kërkesa që dy veta të kenë në dorë gjithçka për materialin zgjedhor është absolutisht kërcënimi më i madh që mund ti bëhet procesit zgjedhor. Në një kohë kur nuk ka vendim që të jetë me më pak se katër vota, kërkojnë një vendim që të merret me dy vota, për të hapur të gjithë dokumentacionin, çka do të thotë për të futur zgjedhjet në proces të pafund dhe moskompletimi. Kujt i intereson kjo? Sigurisht është e drejtë që çdo material duhet të hapet, por kjo duhet të jetë Gjykata dhe ne jemi plotësisht dakord, por nëse një vendim i tillë u jepet dy përfaqësuesve partiakë, zgjedhjet nuk janë më zgjedhje të qytetarëve, por të dy përfaqësuesve të një partie, cilado qoftë, nuk e paragjykoj që mund ti kapin ato edhe njëherë nga e para deri në fund për ti shtyrë drejt dështimit, u shpreh Berisha.
Votimi elektronik
Kreu i maxhorancës mbështeti dhe rekomandimin e ODIHR-it për numërimin elektronik të votave. Sipas tij, ky numërim duhet aplikuar pjesërisht. Ka një moment ku nuk mund të ketë diskutim as nga qeveria, as nga opozita: rekomandimi i ODIHR-it. Ky rekomandim lidhur me procedurat elektronike nuk vjen se përfaqësuesit e kësaj organizate nuk janë të njohur me moshën dixhitale. Përkundrazi, ata janë më të njohur se të tjerët përsa u përket zgjedhjeve dhe dixhitalizimit. Ata e njohin më mirë se të gjithë të tjerët sepse vëzhgojnë të gjitha praktikat. Mendoj se rekomandimi i tyre është absolutisht interesi i parë më i madh i opozitës. Se në qoftë se opozita kërkon siguri në zgjedhje dhe këtë e do me siguri – nuk dyshoj për këtë – atëherë pozita nuk mund të vrapojë pas opsioneve, të cilat nuk japin sigurinë e plotë, të cilat nuk janë të testuara. ODIHR kërkon të bëhet një studim pilot. Ky është interesi më i mirë i opozitës në radhë të parë, por edhe i qeverisë, edhe i shqiptarëve në tërësi, u shpreh Berisha.
Opozita
Por, bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, i cilësoi deklaratat e Kryeministrit spekulative. Këto janë deklarata spekulative, shumë të rënda, që minojnë klimën e besimit dhe, mbi të gjitha, tregojnë interesin e vërtetë politik që ka Berisha në këtë çështje për ta mbajtur peng reformën zgjedhore, në varësi të ecurisë së zgjedhjes së Presidentit dhe që të ndajë përgjegjësinë me opozitën. Shumë nga ato çështje janë prioritet i ODIHR-it, siç është ribërja e KQZ-së, riformatimi i tij në kohë, fillimi i detyrës në kohë apo aksesi në dokumentacionin zgjedhor kur ka një proces ankimor. Pra, bëhet fjalë për proces hetimor, jo ashtu siç do ta spekulojë Berisha. Nuk bëhet fjalë që dy anëtarë na kërkuakan të marrin çdo lloj dokumenti dhe të hapin çdo lloj kutie, tha Gjiknuri.
Gjiknuri takon ambasadorin Sekui
Një ditë nga përfundimi i afatit të përcaktuar nga komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, për përmbylljen e reformës zgjedhore, përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Komisionin për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, është takuar me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Etore Sekui. Në fakt, gjatë gjithë këtyre ditëve, përfaqësuesit e PS në Reformën Zgjedhore kanë kontaktuar ambasadorët kryesorë në Tiranë për ti informuar ata me pozicionin e palëve ndaj dy reformave, asaj zgjedhore dhe parlamentare. Socialistët janë shprehur dhe më parë se janë treguar më të ekuilibruar në propozimet e tyre për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme për të dyja palët, por bllokimi, sipas tyre, vjen nga ana e Partisë Demokratike.
Rama takon kreun e Bundestagut gjerman
Lammert dhe Rama
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi në Gjermani një vizitë njëditore ku u takua me Presidentin e Parlamentit, Norbert Lammert. Biseda u përqendrua në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Kreu i PS-së e njohu Lammert me përpjekjen e opozitës shqiptare për të përshpejtuar procesin e integrimit dhe për të përmbushur të gjitha kërkesat e Komisionit Europian. Unë gjithmonë e kam thënë që Shqipëria në këndvështrimin tim dhe në këndvështrimin e shumicës dërrmuese të Parlamentit gjerman i përket Europës, por ka nevojë që të implementojë kriteret e nevojshme në mënyrë që të mos jetë thjesht pjesë e Europës, por që të bëhet një kandidate serioze për Bashkimin Europian, u shpreh Lammert. Kryetari socialist takoi edhe kryetarin e Partisë Social Demokrate gjermane, Sigmar Gabriel.
ARISTIR LUMEZI
