PS: Korrupsioni i dirigjuar nga Berisha na detyron të nxjerrim çdo ditë fakte të reja

Tiranë, 26 Gusht 2010 NOA - PS ka vazhduar të kërkojë sqarim publik nga kryeministri, duke folur për ato që i cilëson afera korruptive, të bëra me firmën e Berishës.
Olta Xhaçka, deputete e PS, vlerësoi në një dalje për mediat para pak minutash se nuk janë çudira që zgjasin vetëm tre ditë, por përkundrazi, çdo tre ditë del në pah një aferë e re korruptive.
Deputetja Olta Xhaçka në deklaratën e saj për mediat ngriti pikëpyetje mbi rolin e motrës tjetër Vokshi, e cila ka pasur pozicion të rëndësishëm në Ministrinë që i ka dhënë Albana Vokshit 6 HEC-e me koncension.
Më tej Olta Xhaçka tha: Tani që për të gjithë është e qartë se vetëm në lumin Kardhiq, çifti Albana Vokshi dhe Arjan Tartari kanë përfituar jo një, por plot gjashtë hidrocentrale; Tani që këtë të vërtetë të provuar me fakte u detyrua ta pranonte publikisht dje Ministri i Ekonomisë Dritan Prifti, duke përgënjeshtruar deputeten Albana Vokshi, dy pyetje të reja ngrihen përpara opinionit publik shqiptar.
Pyetjet e zinjsh. Olta Xhaçka ishin: Së pari,
përveç Albana Vokshit që në kohën kur Kryeministri firmoste koncesionet ishte
funksionare në kabinetin e Sali Berishës, cili është roli i motrës tjetër
Vokshi, Mimozës, e cila kur Arjan Tartari dhe Albana Vokshi merrnin 6
hidrocentrale, punonte si drejtoreshë e privatizimeve në Ministrinë e
Ekonomisë, që ka ushqyer me kaq shumë bukë lepurushi Arjan Tartarin dhe Albana
Vokshin?
Së dyti, si e shpjegon Sali Berisha faktin se nga gjithçka që i quan investime
të mëdha, dalin në fakt lepujt e mëdhenj të korrupsionit qeveritar në dëm të
ekonomisë shqiptare, dalin në pah emra personazhesh të lidhur ngushtësisht me
familjen në pushtet dhe pushtetin e familjes?.
Më tej kanë vijuar dhe komentet e deputetes më të re të opozitës: Sali Berisha bën çbën dhe hesht. Ndoshta mendon se çdo çudi në Shqipëri zgjat vetëm tre ditë, por çudia e korrupsionit të dirigjuar prej tij është se çdo tre ditë na shfaqet një çudi e re. Megjithatë, flet apo s'flet Sali Berisha, shqiptarët po e kuptojnë se ferra ku fshihet dhe ushqehet lepuri i korrupsionit është vetë Sali Berisha.
Ndërkohë, - vijoi Xhaçka, - ne do të vazhdojmë me publikime të reja të provave dhe fakteve të këtij korrupsioni shkatërrues, i cili nuk fshihet dot as me heshtjen e Kryeministrit dhe që nuk mbulohet dot nga balta e neveritshme e shpifjeve bajate të kësaj qeverie.
e.r/NOA