E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizu: Shqipëria në udhëkryq, letra e Uidhersit flet vetë

Topi në simpoziumin e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri: “Politikanët tanë shfaqen në publik ithtarë të vlerave perëndimore; në praktikë disa prej veprimeve dhe vendimeve të tyre nuk gjejnë përputhje me këto standarde demokracie”

TIRANË Në simpoziumin e organizuar nga Instituti për Studime Ndërkombëtare në kuadër të 20-vjetorit të rilidhjes së marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-së dhe Shqipërisë, ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ka deklaruar ndër të tjera se sot Shqipëria e gjen veten në një tjetër udhëkryq. “Ja ku jemi 20 vjet më pas dhe ne e gjejmë veten në një tjetër udhëkryq. Ne kemi parë gjithmonë se të fajësosh nuk funksionon. Sot gjithashtu Shqipëria është në nevojë të një reforme dhe është e qartë te të gjithë këtu se është një rrugë që do të sjellë mundësi të reja për popullin shqiptar, të cilët janë shprehur qartë se ku i përket e ardhmja e vendit të tyre. Perspektiva e Shqipërisë është në dorën e shqiptarëve. Udhëheqësit e vendit patjetër duhet të bëjnë zgjedhjen korrekte për t’u bashkuar në të avancuarin e integrimit drejt BE-së" - tha ambasadori Arvizu. Por vëmendja e medias dje ka qenë e përqendruar edhe në një tjetër ngjarje, që lidhet me letrën drejtuar shqiptarëve dy ditë më parë nga ish-ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Xhon Uidhers. Në një moment pushimi gjatë simpoziumit, i pyetur për përmbajtjen e letrës së paraardhësit të tij, Arvizu u përgjigj: “Kam parë mbulimin e hollë dhe të gjerë të Top Channel dhe gjithashtu kam parë që është mbuluar gjerësisht sot nëpër gazeta. Ju besoj se e dini që është politikë e SHBA-së që nuk komentojnë për Wikileaks. Dhe për sa i përket letrës, besoj që flet vetë”. Ndërkohë në simpoziumin e djeshëm ishte i pranishëm me qëndrimin e tij kritik edhe presidenti i Republikës, Bamir Topi. “Politikanët tanë shfaqen në publik ithtarë të vlerave perëndimore; në praktikë disa prej veprimeve dhe vendimeve të tyre nuk gjejnë përputhje me këto standarde demokracie. Sjellja e dyzuar, me distancë të madhe midis të folurës dhe praktikës, duhej të ishte tipar i kapërcyer tashmë i tranzicionit. Shpeshherë dëgjojmë të thuhet se qytetarët janë disa hapa përpara politikës për nga vizioni i tyre për vendin dhe sakrificat që ata bëjnë për të rifituar kohën e humbur. Unë besoj se ky vëzhgim është i drejtë. Ne kemi një popullsi të re në moshë, plot energji dhe me etje të madhe për ndryshim. Ata meritojnë të dëgjohen, të respektohet vullneti i tyre i lirë dhe që produktet politike t’i zgjerojmë, e jo t’u kufizojnë atyre liritë dhe hapësirat e tyre për të ardhmen”, - tha Topi. Për këtë arsye, Presidenti i Republikës u ka bërë thirrje politikanëve që në sjelljen e tyre politike dhe institucionale të dëshmojnë kurajë e përgjegjësi për të vendosur axhendën qytetare mbi çdo axhendë politike të ditës. “Duke vepruar kështu, politika vihet në funksion të qytetarëve dhe u shërben siç duhet interesave të vendit, duke dëshmuar njëherësh respekt thelbësor për partneritetin dhe mbështetjen e jashtëzakonshme të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian dhënë Shqipërisë gjatë këtyre dy dekadave”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›