E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-LSI, gati hakmarrja në Bashkinë e Tiranës

Bledar Hoti

Shpallet aksioni i opozitës për kontrollin e njësive vendore, firma për shkarkimin e Kosovrastit

BLEDAR HOTI

Bashkia e TiranesPartia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të ndërmarrin një tjetër lëvizje si opozitë që synon marrjen e kontrollit të këshillave bashkiakë dhe komunave, duke përmbysur raportet mes mazhorancës dhe opozitë në nivel lokal. Sinjali i parë i bashkëpunimit do të jetë në metropolin shqiptar, ku PS dhe LSI do të bashkojnë votat për të shkarkuar kreun e këshillit bashkiak të Tiranës, Njazi Kosovrastin, i zgjedhur me votat e LSI-së dhe të PD-së. Këshilltarët e majtë u mblodhën së bashku dhe përcaktuan strategjinë e re. Qëndrimi i LSI-së duket se erdhi pas vendimit të mazhorancës për të shkarkuar anëtarin e propozuar nga LSI në KQZ, Ilirjan Muho. PS-LSI kanë firmosur kërkesën për shkarkimin e Kosovrastit. Sot po organizohet dhe është në vazhdim mbledhja e përbashkët e këshilltarëve të Bashkisë së Tiranës, të koalicionit opozitar, pra të PS-së, LSI-së dhe partive të tjera përbërëse të koalicionit, e cila ka vetëm një synim: Pas asaj që bëri Saliu dje me uzurpimin e paligjshëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ne kemi detyrë të kthejmë legjitimitetin demokratik të çdo trupe kolegjiale dhe këtu duke filluar më së pari nga Bashkia e Tiranës dhe pastaj çdo njësi tjetër vendore, në mënyrë që pushteti vendor nga njëra anë të mos kthehet në bunkerin e fundit të pushtetit të degraduar dhe ilegjitim të Sali Berishës dhe, nga ana tjetër, për ta kthyer pushtetin vendor në një kordon sanitar për të garantuar legjitimitetin demokratik të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe të votës së qytetarëve shqiptarë. Mbledhja e sotme do të thërrasë në mënyrë urgjente Këshillin Bashkiak të Tiranës, për të shkarkuar kryetarin aktual të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Sali Berisha nuk ka asnjë shans që të ndalë votën e qytetarëve apo të manipulojë votën e qytetarëve, edhe sikur ti teket ti numërojë votat në shtëpinë e tij së bashku me Shkëlzenin, me Argitën, me Mul Nokën apo me të tjerët, tha kreu i PS-së së Tiranës, deputeti Sajmir Tahiri. Kreu i këshilltarëve socialistë Aldrin Dalipi, pas takimit u shpreh se pas shkarkimit të tij, do të marrim drejtimin e këtij këshilli bashkiak. Koalicioni i ri mes dy kryetarëve të partive tona, nga sot kalon edhe në bashkëpunimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, për të garantuar qytetarët që vota e tyre, qytetaria, demokracia do të jenë në qendër të punës sonë. Kjo që po ndodh këtu është një proces shumë i gjerë që do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, paralajmëroi Dalipi. Nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani, në daljen e tij publike deklaroi se sa na takon neve si LSI, që tani dua të komunikoj qartë dhe prerë se për hir të parimit të balancës politike në vend, parim i cili u zbulua nga vetë kryeministri, në funksion të përgatitjes së zgjedhjeve të 23 qershorit, pushteti vendor do të vendoset nën kontrollin maksimal të opozitës. Veçanërisht detyrat e përgatitjes së listave të zgjedhësve është detyrë parësore. Për këtë qëllim, LSI deklaron bashkimin e votave në të gjitha këshillat vendorë me Partinë Socialiste, që nga ky moment, dhe i heq mbështetjen politike do të zgjedhuri vendor që ka dalë nga koalicioni i LSI-së me Partinë Demokratike. Numri dy i LSI-së, theksoi se do të ketë qëndrime konkrete për Parlamentin ilegjitim. Që nga mbrëmë, ky Parlament është totalisht ilegjitim. Ka vendosur të legjitimojë partinë-shtet, kështu që meriton një kurs të ri politik, në funksion të përgatitjes së zgjedhjeve të ardhshme të pak ditëve më vonë.

PS-LSI, gati hakmarrja në Bashkinë e Tiranës burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›