E Diel, 1 Nëntor 2026

Ashton: Ne dhamë qëndrimin tonë për KQZ. Duhen zgjedhje të lira

Fatjona Mejdini

Vizita

Shefja e diplomacisë e BE-së sjell paralajmërimin për qeverinë

Rama - Kryediplomatja e BE-së zgjodhi të qëndrojë dje në takimin me kreun e opozitës, Edi Rama, 20 minuta më shumë se sa ishte parashikuar në protokollin zyrtar. Në këtë takim, Rama ishte i shoqëruar nga deputetët Ditmir Bushati dhe Olta Xhaçka, dhe nga ana e saj, Ashton shoqërohej nga ambasadori i KE-së, Ettore Sequi, dhe disa këshilltarë personalë, të cilët kishin ardhur me të nga Brukseli.

Berisha - Ashton e nisi vizitën me një takim me Kryeministrin Berisha ku ky i fundit premtoi zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Fule - Shefja e diplomacisë së BE nuk harroi të theksojë se komisioneri për zgjerim Fule kishte mbështetjen e saj të plotë

Vëzhguesit - Ajo theksoi se BE-ja është e angazhuar për të monitoruar dhe për të mbështetur një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm

Fatjona Mejdini

Catherine AshtonPërfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Catherine Ashton, mbajti dje një deklaratë për mediat shqiptare, e fokusuar tek rëndësia e madhe që kanë zgjedhjet e 23 qershorit për integrimin e Shqipërisë në BE, por edhe tek aktualiteti politik. Që në nisje të deklaratës së saj, ajo theksoi faktin se po vinte në Shqipëri në një kohë kur në Parlament sapo ishin mbyllur debatet për një çështje të rëndësishme zgjedhore dhe që kishte marrë informacione të detajuara për të, gjatë takimeve që kishte pasur me Kryeministrin Berisha, Presidentin Bujar Nishani dhe kreun e opozitës, Edi Rama. Ajo u kujtoi palëve se për ndryshimet që u kryen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, BE kishte shprehur shqetësim, duke kërkuar nga politika të kthenin besimin tek institucionet zgjedhore. Zëvendëspresidentja e KE-së, Ashton, theksoi se Shqipëria duhet ti largohet kursit nacionalist dhe të vijojë të jetë garante e stabilitetit në rajon. Ashton nuk la pas në deklaratën e saj dhe nevojën e Shqipërisë për të dhënë prova konkrete në luftën kundër korrupsionit. Për të, ekuacioni është i thjeshtë, Shqipëria duhet të përmbushë pritshmëritë e larta që BE ka ndaj saj në mënyrë që Europa ta lejojë të ngjisë shkallët e integrimit.

Mesazhet

Në vizitën e saj për disa orë në Tiranë, në kuadër të një turi rajonal, diplomatja e lartë e Bashkimit Europian përcolli disa mesazhe të forta për zgjedhjet, korrupsionin dhe nacionalizmave në vend. Ajo preferoi ta nisë me zgjedhjet, duke bërë të qartë se veprimet e fundit të mazhorancës në Parlament ndaj KQZ-së kanë ngjallur shqetësim në BE dhe se duhet shumë punë nga palët për të bërë të mundur që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme, duke ju kthyer qytetarëve besim tek institucionet që i administrojnë ato. Dje, ne shprehëm publikisht shqetësimin tonë për pasojat e mundshme të votimit në Parlament te besimi i qytetarëve në procesin zgjedhor. Është përgjegjësia e të gjithë politikanëve që të sigurojnë pavarësinë e institucioneve dhe të bëjnë të mundur që institucionet të gëzojnë besimin e të gjithëve. Duhet të ketë besim në këtë proces, theksoi Ashton, duke i konsideruar zgjedhjet tepër të rëndësishme për vijimin e procesit të integrimit. Ajo theksoi se rëndësi të veçantë për BE-në ka dhe mosndryshimi i kursit të vendit në politikën rajonale. Që të ruhet ky rol konstruktiv, atëherë duhet shmangur përdorimi i diskursit nacionalist. Lipset që Shqipëria të vazhdojë rolin e vet tradicional të një aktori të ndershëm dhe konstruktiv në rajon, bëri të qartë ajo. Korrupsioni ishte një tjetër element që u theksua nga shefja e diplomacisë europiane. Ne kemi nevojë që të shohim një historik të qëndrueshëm veçanërisht në çështjet që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe luftën kundër krimit të organizuar, ashtu në fakt siç është thënë në mënyrë të herëpashershme dhe në mënyrën më të fundit, në konkluzionet e mbledhjes së Këshillit Europian në dhjetor, bëri të qartë shefja e diplomacisë europiane.

Ashton: Ne dhamë qëndrimin tonë për KQZ. Duhen zgjedhje të lira burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›