Rama: Saliu nuk shpëton dot nga humbja
Kreu i opozitës: Maniaku recidiv i votave do të përmbyset në mënyrë plebishitare
Votimin e Kuvendit për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së, lideri i opozitës e cilësoi si fillimi i fundit të regjimit Berisha. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Edi Rama theksoi se Kryeministri shpërfilli apelin e ndërkombëtarëve. Ajo që ndodhi dje, në Kuvendin e Shqipërisë, nuk ka goditur vetëm Kushtetutën, ligjin, KQZ, zgjedhjet, por ka goditur Shqipërinë në sytë e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Të cilët, e kanë paralajmëruar, qoftë para dhe qoftë më pas, qeverinë për pasojat e atij akti brutal. Një akt tipik për një sundimtar të marrë fund që rri në këmbë me gjithë pushtetin e tij të rrënuar vetëm falë një grupi mercenarësh. Mirënjohje dhe njëherë Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian për qëndrimin e qartë dhe të prerë ndaj marrëzisë së mbrëmshme të Saliut me KQZ-në e deligjitimuar përmes aktit brutal dhe të njëanshëm, që ka hapur edhe gropën ku do të prehet me turp pushteti i tij, deklaroi Rama. E hoqi një paralele të seancës me atë të zgjedhjes së kreut të shtetit. Seanca e djeshme nga ana e qeverisë, e shumicës së përbërë nga deputetë që e ndjekin në mënyrë të verbër dhe nga mercenarë të verbuar prej joshjeve të pushtetit të korrupsionit, ishte një fotokopje e seancës së zgjedhjes President në mars të vitit 1997, për nga hapësira tërësisht e izoluar, qoftë së brendshmi dhe qoftë së jashtmi në të cilën u zhvillua. Është e qartë se Kryeministri në ikje po e përjeton keq e më keq verën e një vetmie të madhe, ku ka mbetur pa asnjë aleat serioz. Fillikat, si në vitin 1997, i rrethuar nga qorra dhe nga mercenarë, përballë një furie popullore që do ti japë fund sundimit të tij me votën për një Rilindje Shqiptare në 23 qershor. Në panikun e kësaj vetmie sa të madhe aq edhe plotësisht të merituar, që e bën ende më të rëndë pesha e mercenarëve, Saliu shkatërroi institucionin e administrimit të zgjedhjeve, duke zgjedhur rrugën më të keqe për tu larguar nga pushteti. Rrugën, që njollos me turpin më të madh atë vetë si një maniak recidiv kundër votës së lirë, theksoi kryesocialisti. Kreu i PS-së në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura u ka kërkuar deputetëve të grupit të dalin në bazë dhe të kontaktojnë me elektoratin për të sqaruar mbi votimin e Kuvendit. Edhe sikur në shtëpi ti numërojë votat Saliu do të largohet nga pushteti me një votë plebishitare, që nuk e mbyll dot më brenda në kuti bashkë me Shqipërinë dhe të ardhmen e saj. 23 qershori është dita kur Shqipëria do të vendosë dhe asgjë nuk do ta ndalë dot në vendimin e vet sovran, tha në fjalën e tij Rama. Ndërsa mësohet se opozita ka rënë dakord për mos votimin e ligjeve në seancën e së enjtes, duke mos e bojkotuar Kuvendin. Në rendin e ditës të së enjtes janë votimi i projektligjeve me shumicë të cilësuar siç janë kodet si ai Penal, Civil apo i Procedurës Civile. Grupi i PS-së pritet të mblidhet sërish për të përcaktuar strategjinë e mëtejshme të opozitës për seancat e fundit që i kanë mbetur Kuvendit.
Ish-kryeministri
Majko: I turpëruar për kolegët që ikën
Ish-kryeministri i vendit, njëkohësisht deputeti socialist, Pandeli Majko, ka preferuar të përdorë tone më të qeta, por keqardhëse për sa i përket qëndrimit në Parlament të tre deputetëve socialistë. Ai ka preferuar të shprehet përmes një deklarate në rrjetet sociale të shoqëruar dhe me një pikturë, e cila tregon një orë me rërë në të cilën nuk bien poshtë kokrrat e saj, por njerëz. Dje humbëm tre kolegë… Ikën. Ndihem i turpëruar përballë kujtimeve që kam me ta, shprehet ai.
Reagime
Policia rrethon banesën e deputetit
FRESSH, protestë para shtëpisë së Islamit
Përfaqësues të Forumit Rinor Eurosocialist, përfaqësues socialistë vendorë të PS-së dhe militantë të opozitës u mblodhën dje në një protestë përpara shtëpisë së ish-deputetit socialist, Kastriot Islami. Protesta u motivua nga ngjarjet e dy ditëve më parë kur Islami ashtu siç ishte paralajmëruar bashkoi votat me grupin parlamentar të PD-së për të votuar pro shkarkimit të Ilirjan Muhos si anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Por kjo protestë zgjati pak për shkak të forcave të shumta të policisë, të cilat mbërritën në vendngjarje dhe bënë përpjekje për të shpërndarë turmën. Tensioni ndaj Kastriot Islamit dhe dy deputetëve të tjerë socialistë që bashkuan votën për të bërë të mundur kalimin e kërkesës për shkarkim, u pa qartë dhe në seancën e dy ditëve më parë, kur deputetë të grupit të PS-së me tone të ashpra u kërkuan shpjegime deputetëve në lidhje me votën pro PD-së së Berishës.
PD, Bogdani: Rama po përsërit vitin 2003
Partia Demokratike reagoi ndaj qëndrimit të kreut të PS-së, Edi Rama, për procesin e votimit. Deputeti i PD-së, Gert Bogdani, në konferencën për shtyp u shpreh se është e qartë se z. Rama mendon se i vetmi rezultat i pranueshëm nga zgjedhjet, është rezultati që ai dëshiron. Sipas tij, vetëm një KQZ nën kontrollin e tij total është legjitim. Partia Demokratike vazhdon ti qëndrojë pozicionit të saj për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Mbrëmë pamë se si i mendon Z. Rama zgjedhjet e lira dhe të ndershme nëpërmjet dhunës së ushtruar në sallën e Parlamentit. Intimidimi dhe dhuna e demonstruar para syve të ambasadorit amerikan dhe pranisë ndërkombëtare në Parlament, shpalosi ngjyrat e vërteta të z. Rama. Ai ngriti akuza se lideri i PS-së është i lidhur me krimin e organizuar. Sot ne dëgjuam më shumë ankesa absurde nga z. Rama, por asnjë kundërshtim të vetëm të bazuar në ligj. Vetëm z. Rama i lidhur vetë këmbë e kokë me botën e krimit mendon se është më se e pranueshme të gënjesh para një Komisioni Parlamentar të fshehësh lidhje me krimin për të cilat je shkarkuar me dekret presidencial nga puna, sepse ke lënë në liri një njeri i cili është dënuar në Milano me burgim të përjetshëm për armëmbajtje pa leje, vrasje dhe prostitucion. Kjo është një shkelje flagrante dhe e papranueshme për një zyrtar të lartë. Tani që Z. Rama ka dështuar për të marrë nën kontroll zgjedhjet, më 23 qershor, qytetarët do të votojnë në zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zëri i tyre do të dëgjohet, tha Bogdani.
Rama: Saliu nuk shpëton dot nga humbja burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email