E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spitali Ushtarak, bashkëjetesë e re me civilin

Lorina Mixha

Zhvendosje shërbimesh nga QSUT në Ushtarak dhe në Sanatorium, Mjekët: Të na kthehet hapësira e zënë

Lorina Mixha

spitali ushtarakNë Spitalin Ushtarak, në Laprakë pritet të bëhet zhvendosja e dy prej shërbimeve të qendrës spitalore universitare Nënë Tereza.

Ndërkohë që po diskutohet mundësia e kalimit të një apo dy shërbimeve të Spitalit Ushtarak në spitalin e sëmundjeve të mushkërive, Shefqet Ndroqi.

Disa prej mjekëve të Spitalit Ushtarak sakaq janë larguar nga qendra ushtarake dhe janë transferuar për të punuar në spitalin Shefqet Ndroqi i njohur me emrin e thjeshtë Sanatorium.

Për shkak të këtyre ndryshimeve, zhvendosjeve dhe bashkëjetesës mes Spitalit ushtarak dhe civil, pritet që këto ditë të ketë një deklaratë nga mjekët e Spitalit Ushtarak lidhur me ndryshimet.

Ndërsa një vit më parë, Këshilli i Ministrave miratoi ndryshimet për kalimin e menaxhimit të Spitalit Ushtarak nga Ministria e Shëndetësisë këtë vit pritej të zgjidhej njëherë e mirë çështja e traumës, spitalit fushor dhe çështjet e gradave për të gjithë mjekët e specializuar si ushtarakë, gjithçka ka mbetur pezull para zgjedhjeve elektorale të muajit qershor.

Hapësira

Mjekët e Spitalit Ushtarak të cilët kanë kundërshtuar heqjen e gradave të këtij spitali, si dhe cenimin e hapësirës publike, në dhëniet e koncesioneve, pritet të reagojnë për situatën e krijuar nga nisja e vitit 2013. Sipas tyre, nëse do të ketë transferime të shërbimeve nga spitali civil Nënë Tereza në Spitalin Ushtarak, qendra nuk ka pse të cenohet më tej, hapësira nuk ka pse të ngushtohet më tej, pasi edhe kaq shërbimeve të Ushtarakut po u zihet fryma. Por nëse do të merret vendimi për bashkim dhe bashkëjetesë të shërbimeve të QSUT-së me Ushtarakun, qoftë edhe një shërbim i vetëm me disa pavijone, atëherë hapësira e cenuar në spitalin e Laprakës duhet të rikonfigurohet dhe ti rikthehet publikut si pasojë e kërkesës dhe nevojës që ka institucioni.

Deri tani nuk dihet se çfarë do të bëhet, janë propozuar dhe na është thënë se diskutimi është çelur për sa i takon spostimit të ndonjërit prej shërbimeve të Ushtarakut në Sanatorium dhe zhvendosjen e dy prej shërbimeve të QSUT-së tek Ushtaraku. Nëse do të bëhet diçka e tillë atëherë le të lirojnë hapësirat e zëna dhe ti rikthejnë institucionit mjedisin e nevojshëm që është privatizuar. Aktualisht, në Spitalin Ushtarak nuk ka hapësirë të mjaftueshme për të pritur e për të përcjellë pacientët që paraqiten nga i gjithë vendi. Dhomat e shtrimit janë të mbingarkuara, thonë mjekët.

Sipas tyre, çështja e ndërtimit të spitalit fushor, qendra e traumës, çështja e gradave të mjekëve, ka mbetur pezull për shkak të vitit elektoral për të mos i hedhur benzinë më shumë zjarrit të 2012-s. Sakaq, ende pa u mbyllur viti kalendarik mjekët e Ushtarakut denoncuan çmobilizimin në masë të mjekëve me grada. Tani ata nuk gëzojnë status, përfitimet dhe vendi i tyre i punës janë lehtësisht të cenueshme.

Mjekët

Pas debatit për kalimin e Qendrës së Traumës në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë pasiguria për të mbajtur vendin e punës, por edhe frika e idesë së një spitali pa grada, ka bërë që shumica e mjekëve, infermierëve apo laborantëve të kërkojnë çmobilizim, zhveshje të uniformës dhe heqje të gradave.

Kemi njoftuar Komisionin e Sigurisë, janë rreth 200 mjekë të cilët po kërkojnë të çmobilizohen dhe të kthehen në specialistë të thjeshtë, njësoj siç janë edhe mjekët e spitaleve civile, në qendrat shëndetësore rajonale apo edhe në spitalin Nënë Tereza. Kjo mund të ketë pasoja të rënda, prandaj kemi njoftuar Komisionin e Sigurisë, por edhe Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë, thanë mjekët e Spitalit Ushtarak në dhjetor të vitit të kaluar.

Statusi

Kthimi nga ushtarak, në civil pasoja për pagesat

Tanimë që shumica e mjekëve janë kthyer civilë, vendi i tyre i punës është më pak i garantuar se më parë. Lëvizja e tyre nga një qendër spitalore në tjetër është më e thjeshtë, ndërkohë që largimi nga detyra nuk ka pasoja dhe dëme financiare për institucionin. Mjekët ushtarakë, për shkak të statusit të tyre, në rast se largohen nga puna në mënyrë të beftë, apo nëse për shkaqe të ndryshme ndërpresin marrëdhëniet e punës me institucionin me argumentime të paqëndrueshme, atëherë ata mund ti drejtohen gjykatës, të rimbursohen në vlerë monetare, madje të fitojnë edhe vendin e punës.

Po ashtu, statusi i ushtarakut, me të cilën ata kanë nisur punë në qendrën spitalore, u garanton atyre asistencë në rast largimi nga puna, pension të parakohshëm, por edhe pension më të lartë për shkak të profesionit, kushteve ku kanë punuar dhe derdhjes së kontributeve.

QSUT

Shërbimi i sëmundjeve profesionale, pa godinë

Shërbimi i sëmundjeve profesionale mbetet pa ambiente.

Javën e kaluar Niko Pecani, mjek pranë shërbimit të sëmundjeve profesionale tha se i priste në oborr të shërbimit pacientët e tij, pas urdhrit të Drejtorisë së qendrës spitalore universitare Nënë Tereza për tu larguar nga ambientet e spitalit francez.

Mjekët dhe personeli tjetër shëndetësor sipas shkresës së drejtorisë nuk i kanë më tri dhomat në ambientet e spitalit francez. Pacientët i vizitojnë ku të munden deri në stabilizimin e plotë të punës dhe përcaktimit të vendit definitiv ku do të qëndrojë ky shërbim. Mjekëve, infermierëve dhe personelit plotësues u është thënë se ambientet ku ka qëndruar deri tani shërbimi i sëmundjeve profesionale do të transferohen në mjediset e ish-kirurgjisë së vjetër.

Stafi i këtij shërbimi të themeluar që në vitet 70 shprehet se përveçse ambientet atje janë të amortizuara, asnjë zyrë nuk është vënë në shërbim të tyre.

Spitali Ushtarak, bashkëjetesë e re me civilin burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›