E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-LSI marrin pushtetin në Lezhë

Gazeta Shqip

keshilli-bashkiak-lezhe-1Bashkohen votat

Bashkëpunimi i parë PS-LSI, në nivel vendor

Buxheti i Bashkisë së Lezhës miratohet nga opozita. Të djathtët braktisin mbledhjen

Gjatë mbledhjes së djeshme kanë abstenuar dy këshilltarë të majtë, ndoqën deputetin Kadeli

Ardian Bushi 

Miratimi i buxhetit të Bashkisë së Lezhës ka sjellë bashkëpunimin e parë në nivel lokal mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Buxheti i Bashkisë së Lezhës, miratimi i të cilit u hodh poshtë pesë ditë më parë, pas kritikave të anëtarëve të këshillit bashkiak, që përfaqësojnë Partinë Demokratike, është miratuar dje nga votat e opozitës. Pavarësisht mungesës së shumicës së këshilltarëve të PD-së, bashkimi i votave të këshilltarëve të PS-së dhe LSI-së bëri të mundur miratimin e buxhetit prej 321 milionë lekëve të reja.

Këshilltarët socialistë kanë bashkuar votat me këshilltarët e LSI-së, ndërsa të djathtët në Bashkinë e Lezhës kanë braktisur mbledhjen. Buxheti i këtij viti është miratuar me 13 vota pro të këshilltarëve të majtë dhe dy abstenim. Dy këshilltarët, Hasan Muça dhe Dava Rusta, të cilët kanë abstenuar, kanë dalë si të pavarur pas largimit të deputetit Gjovalin Kadeli si deputet i PSsë në Kuvendin e Shqipërisë. Dy këshilltarët e tërhequr pritet tu bashkohen të djathtëve në këtë këshill me vendimmarrjet e tyre në mbledhjet e ardhshme. Të djathtët në këtë bashki kanë 14 këshilltarë dhe po kaq edhe koalicioni i majtë. Pas kalimit të LSI-së tek e majta, ky raport ndryshon, pasi LSI ka tre këshilltarë, duke e çuar raportin 17 me 14, ndërkohë që ky raport mund të përmbyset në të ardhmen me dy këshilltarët e pavarur, pasi mund të kalojë në 16 me 15 për koalicionin e djathtë. Megjithatë, dje koalicioni i majtë ka sjellë bashkëpunimin e parë në nivel lokal, i cili ka qenë i suksesshëm, ndërkohë që këto bashkëpunime pritet të vijojnë në të ardhmen edhe në bashki të tjera.

Megjithatë, pesë ditë më parë, po në mbledhjen e këshillit bashkiak, PD kundërshtoi miratimin e buxhetit, veprim i cili solli dështimin e mbledhjes. Koalicioni i djathtë reagoi në atë mbledhje ndaj ish-aleatëve të tyre, duke deklaruar se nuk do votojnë projektbuxhetin e kësaj bashkie. Sipas tyre, motivi zyrtar kishte të bëjë me mospërmbushjen e kërkesave të qytetarëve. Mbledhja e këshillit bashkiak të këtij qyteti u përfshi në debate mes këshilltarëve, ndërsa administrata e bashkisë ishte tërhequr për të riparë projektbuxhetin e ekonomisë. Në mbledhjen e parë munguan edhe përfaqësues të koalicionit të majtë, duke mos përbërë shumicën e nevojshme për të kaluar buxhetin, por dje, ata janë paraqitur, duke vendosur miratimin e buxhetit. Pavarësisht koalicionit të ri me Partinë Socialiste, të djathtët në Këshillin Bashkiak të Lezhës i kishin kërkuar kreut të kësaj njësie vendore që është përfaqësues i LSI-së që të konsultohet me aleatët e 2011-s për buxhetin e këtij viti, pasi në rast të kundërt, nuk do ta votojnë atë. Kërkesa e demokratëve ka ngjallur reagimin e socialistëve, të cilët nëpërmjet kryetarit të këshillit, Agustin Marku kanë shpjeguar se tashmë po shkohet drejt së resë, duke u rikujtuar përfaqësuesve të PD-së akuzat për korrupsion.

Diskutimi

Investimet për gjelbërimin, molla e sherrit në këshill

Në mbledhjen e djeshme, kur u miratua buxheti për vitin 2013, komisioni i ekonomisë pranë Bashkisë së Lezhës solli edhe një herë projekt-investimet që do kryhen në këtë qytet për këtë vit. Investimet u shoqëruan me diskutime të ashpra mes këshilltarëve, të cilët kritikuan uljen e shpenzimeve në sipërmarrjen e pastrimit të qytetit dhe gjelbërimin e tij, duke argumentuar se kjo do të sjellë shërbime më pak ndaj banorëve të këtij qyteti dhe më pak sipërfaqe të gjelbëruar. Cilësia e jetës së qytetarit është një ndjeshmëri për të gjithë qytetarët lezhjanë. Pastrimi dhe gjelbërimi kanë qenë dhe mbeten prioriteti ynë, ashtu siç është në të gjithë botën. Por, vështirësitë ekuilibrimit të shifrave na kanë dërguar në heqjen e disa elementëve dhe disa zërave, pikërisht për të shkurtuar shpenzimet në këto shërbime, tha kryetari i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tusha. Pavarësisht se dy vitet e fundit, grantet e qeverisë kanë njohur rënie, sipas kryetarit të Bashkisë së Lezhës, buxheti i alokuar për këtë vit, shpreh më shumë investime.

PS-LSI marrin pushtetin në Lezhë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›