E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-LSI në Elbasan, së bashku në opozitë

Në Bashkinë e Elbasanit vihet re fenomeni më i veçantë. Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Socialiste bashkëpunojnë ngushtë ndonëse janë në opozitë përballë së djathtës. Rezultati i zgjedhjeve lokale nxori 20 mandate për koalicionin e majtë dhe 25 mandate për koalicionin e djathtë. Lëvizja Socialiste për Integrim në total kishte një numër prej katër mandatesh. "Unë do të vazhdoj të punoj në Bashkinë e qytetit të Elbasanit me të njëjtën formulë siç dhe e kam nisur dhe nuk e prish marrëveshjen që kam me LSI-në në bazë", deklaroi kreu i bashkisë, Qazim Sejdini. Sipas tij, kjo marrëveshje është firmosur shumë kohë përpara se të nënshkruhej një e tillë mes krerëve më të lartë të PS-së dhe LSI-së në qendër, sikurse edhe tani marrëveshja më e re qeverisëse PD-LSI. "Nuk kam asnjë arsye që të kontestoj apo të shfuqizoj këtë marrëveshje, përderisa përfaqësuesit e kësaj force politike, pavarësisht nga zhvillimet koniunkturale politike në qendër, ruajnë bashkëpunimin për çështjet themelore", shtoi Sejdini. Aktualisht, përfaqësuesit e LSI-së në Bashkinë e Elbasanit, që janë gjashtë, nisin që nga posti i nënkryetarit të bashkisë Serafin Papa, për të zbritur në nivele drejtorish apo zyrash shërbimi. Sejdini ka sqaruar se do të ruajë të njëjtën vlerë marrëveshjeje në rrafshin e pushtetit vendor edhe me partitë e tjera, përfaqësuese në Këshillin Bashkiak si PSD, PAD, PAA e ndonjë tjetër, duke pohuar se përfaqësimi i tyre është në bazë të mandateve të këshilltarëve të marrë nga votimet për pushtetin vendor në këtë qytet. "Deri tani marrëveshja nuk është cenuar nga risitë e bashkëpunimit politik në qendër dhe besoj se do të ruhet fryma e bashkëpunimit, përderisa është në të mirë të këtij komuniteti", thotë kreu lokal i LSI-së Bujar Kllogjeri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›