PS: Legalizim falas përveç ndërtimeve të paligjshme në bregdet
Partia Socialiste ka përsëritur premtimin e saj për legalizim të ndërtimeve pa leje falas, përveç zonave bregdetare.
Në një konferencë për shtyp, nga selia e PS-së, Artan Lame ka theksuar se do të merren masa dhe do të zhbëhet çdo vendim për legalizime në zonat e mbrojtura mjedisore, parqe kombëtare, arkeologjike, turistike e në plazhe.
Ne nuk do të legalizojmë asgjë të kundërligjshme në vijë bregdetare dhe asgjë të ndërtuar për qëllime fitime kudo qoftë, do të ketë penalizime për ata që masakrojnë bregun dhe ata që kanë bërë legalizime në zonat e mbrojtura mjedisore, arkeologjike, gjatë rrugëve kombëtare dhe nyjet kryesore rrugore, turistike, plazheve etj, tha Lame.
Lame denoncoi edhe rastet e falsifikimit me dokumentet e legalizimeve kryesisht në zonat bregdetare.
Ne po mbledhim informacione për falsifikimet që po bëhen me legalizimet e ndërtimeve pa leje në Dajt, Pogradec, Krujë, në bregdetin Orikum- Vlorë, në zonën historike të Lezhës ku vazhdojmë të marrim denoncimet nga qytetarët, tha Lame më tej.
Në shtator, vijoi ai, kryeministri i zgjedhur Edi Rama do të bëjë publike paketën e emergjencës kombëtare për territorin.
Lame më tej denoncoi atë që e quajti shkatërrim të hapësirave të gjelbra, duke iu referuar kështu parkut të lodrave tek 7 Xhuxhat.
Sipas Lames, Bashkia e Tiranës po e shkatërron këtë park./ep