E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Meta është kthyer në zëdhënësin e qeverisë

Partia Socialiste ka reaguar pas deklaratave të kreut të LSI-së Ilir Meta i cili e cilëson klanin e lidershipit të PS-së si klan spiunësh të sigurimit. Në një konferencë për shtyp Anëtarja e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Megi Ajtyresa theksoi se Meta jo vetëm që nuk po bën apologji për demaskimin përmes videos, por është transformuar tashmë në një zëdhënës të qeverisë, që nënkupton një tjetër manovër të ulët për të vazhduar vjedhjen e vendit.
Sipas saj Meta u largua nga postet për t`u bërë dita-ditës zëdhënësi i qeverisë Berisha e jo për t`u përballur pa imunitet me drejtësinë.
“A e shihni o shqiptarë pa dallim që Ilir Meta është larguar jo për t’i hapur rrugë drejtësisë por për të dalë përditë si zëdhënës i qeverisë? Sepse ka ikur nga tavolina e qeverisë po ka lënë bllokun e hajnive në dorën e Berishës që s’ndahet dot prej Metës, se janë bashku për të vjedhur e duan të vazhdojnë të vjedhin me atë bllok të ndyrë në dorë”, theksoi Ajtyresa.
Ajo gjithashtu i bëri thirrje qytetarëve të demostrojnë bashkë me opozitën në 21 janar për të larguar njëherë e përgjithmonë nga pushteti koalicionin e hajdutëve.
“21 janari është dita e demonstratave kundër këtij koalicioni hajdutësh që vodhën votat për të vjedhur Shqipërinë dhe sot, kur i gjithë populli i ka parë e dëgjuar me sytë e me veshët e vet, duan që t’u vjedhin shqiptarëve edhe dritën e syrit dhe daullen e veshit duke mohuar të pamohueshmen”, deklaroi Ajtyresa, duke i kërkuar shqiptarëve që në 21 janar të nisin betejën e largimit të bllokut të hajdutërisë nga tavolina e qeverisë.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›