Godo: Kryeministri të shkarkojë Bollanon
Ngjarja e rebelimit të disa qytetarëve himarjotë ndaj policisë së shtetit dhe mbështetja që gjetën ata nga kryetari i Bashkisë së qytezës së Himarës, Vasil Bollano, ka sjellë reagimin mospajtues të klasës politike shqiptare. Presidenti i Asamblesë së Partisë Republikane, Sabri Godo, duke marrë shkas nga pamjet dhe deklaratat e bëra gjatë këtij rebelimi, si dhe mbështetjen politike që kreu i bashkisë Bollano i dha atyre, i ka kërkuar kryeministrit Sali Berisha që të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese dhe ta shkarkojë atë nga kjo detyrë. Godo i ka kërkuar Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, të shkarkojë menjëherë kryebashkiakun e Himarës, Vasil Bollano, pasi, sipas tij, për të disatën herë ai po shkel ligjet. Sipas Godos, Bollano për të disatën herë ka nxitur qytetarët himariotë që të dhunojnë simbolet kombëtare shqiptare, si dhe të kërkojnë në vazhdimësi cenimin e territorit të Republikës së Shqipërisë. “Është në seriozitetin e shtetit tonë, të thotë se nuk lejon askënd të bëjë atentat, të çdo lloji, ndaj territorit të Republikës së Shqipërisë. Atje herë pas here shkon ndonjë deputet apo ndonjë zëvendësministër grek, të cilët flasin dhe mbledhin njerëz si të ishte shtëpia e tyre dhe në një mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, bëjnë një nxitje të këtyre ekstremistëve. Është koha që Ministria e Jashtme dhe qeveria shqiptare të bëjë përpara për të ndaluar një precedent të tillë pasi tashmë është mbushur kupa. Tani kryeministri Berisha domosdoshmërisht duhet të pushojë këtë kryetar bashkie që shkel ligjet e shtetit, të cilit duhet t’i shërbejë”,- është shprehur Sabri Godo.