E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Në Tiranë ka 357 vota më tepër se votues

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, theksoi se vendimi i KQZ-së për fitoren e kandidatit të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Lulzim Basha, duhet konsideruar i paligjshëm.  

Në një analizë të gjatë të pasqyruar në tabela, z. Ruçi deklaroi se këto janë argumentet që dëshmojnë se rezultati për Tiranën ndodhi pas manipulimit të shifrave në sajë të hedhjes së votave tepër në kutitë e zgjedhjeve, pikërisht në fund të procesit zgjedhor.

“Në disa kuti rezulton se ka më shumë vota sesa persona që kanë votuar në zgjedhjet vendore të 8 majit, madje rezulton 357 vota më shumë në Tiranë. Në njësinë 6, bëhet fjalë për 43 vota më shumë se votues, në njësinë 8 ka 46 vota më shumë se votues, në njësinë 3 vetëm 38 vota më shumë se votues dhe në njësinë 2 ka 38 vota më shumë se votues", denoncoi kryetari i grupit parlamentar të PS-së.

Ruçi deklaroi se të legjitimosh vendimin e marrë nga KQZ-ja, do të thotë të shtosh në numërimin për kryetarin e Bashkisë 357 vota më tepër se votues. Ai vlerëson se këto vota janë hedhur qëllimisht në kuti në fund të procesit të numërimit, duke shtuar se të dhënat që disponohen do të vendosen në dispozicion të ndërkombëtarëve.

Ruçi theksoi se akti normativ i këtij institucioni është i paligjshëm. Sipas tij, katër qendra nuk janë përfshirë në tabelën përmbledhëse, duke e cilësuar kësisoj si një vendimmarrje të jashtëligjshme. /Start/

                                                                                             2011-05-28 14:49
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›