E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Nuk e njohim rezultatin për Tiranën, ankimime

Deputetja Englantina Gjermeni, tha se KQZ-ja shpalli fitues humbësit duke vjedhur votat me porosi të kryeministrit Sali Berisha, duke shtuar se rezultati u shpall mbi shkelje të ligjit e manipulime.

“Nga kutitë e marra në dorëzim dhe të ruajtura nga nipi i Sali Berishës në Lundër dolën gjithfarë çudirash që e bëjnë më se të qartë vjedhjen. Kodet që u zhdukën dhe ndryshuan në periudhën kur kutitë i mbante nipi i Saliut, zarfet e zhdukura dhe fletët e shtuara jashtë zarfeve për Lulzim Bashën, fletët e votimit që na paskan kryer udhëtime të pabesueshme prej kilometrash të tëra për të përfunduar në kutitë e një qendre tjetër votimi dhe kutitë e shqyera prej dorës së pushtetit nga ku mund të futeshin e të nxirreshin zarfe, vota e procesverbale”, theksoi ajo.

Deputetja shtoi se rezultati për Tiranën është ai që u shpall në ekranet e televizioneve. “Gjurmët e manipulimit të procesit zgjedhor për Bashkinë e Tiranës janë kudo dhe ato i kanë parë të gjithë, shqiptarë e ndërkombëtarë. Prandaj ne nuk e njohim këtë rezultat. Rezultati i Tiranës ishte ai që e pa mbarë bota, drejtpërdrejtë nëpër televizione dhe që nxori fitues Edi Ramën mbi gjithë paratë, presionin dhe makinerinë e pushtetit të vënë në funksion të fushatës së Lulit të Saliut”, nënvizoi deputetja opozitare.

Në fund, ajo deklaroi se Partia Socialiste do të vazhdojë të ndjekë rrugën ligjore e bindur në drejtësinë e kauzës së saj. “Numri i votave që nuk përputhet me numrin e votuesve, provat e qarta të manipulimit dhe cenimit të integritetit të kutive që i panë të gjithë, janë fakte të pakundërshtueshme të pavlefshmërisë së rezultatit të shpallur nga KQZ, të cilat nuk mund të hidhen poshtë nga asnjë gjykatës, sado i madh qoftë presioni i Saliut”, përfundoi. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2011-06-27 13:40
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›