E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, tjetër betejë në KQZ për Tiranën

Në ankesën e saj, PS-ja kërkon shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve.

Sipas selisë rozë, në zgjedhjet e 8 majit u faktua cenimi i integritetit të kutive dhe mospërputhje të votave. Konkretisht, PS kundërshton vendimin Nr.1158 datë 25/06/2011 të KQZ-së. Juristët e kësaj partie kanë hartuar ankimin brenda dy ditëve, ku kërkohet pavlefshmëri të zgjedhjeve për 284 qendra votimi.

Në kërkesë thuhet se ka mospërputhje midis fletëve të votimit të hedhura në kuti dhe votuesve. Sipas socialistëve, kjo nuk është gabim thjesht njerëzor, por shkelje e ligjit. PS-ja pretendon në ankesën e përgatitur se ka probleme serioze për rreth 35% të kutive, që kanë të bëjnë kryesisht me elementët e sigurisë.

Duket se PS-ja nuk ka pritur momentet e fundit për depozitimin e ankesës së saj pranë KQZ-së, që sipas Kodit Zgjedhor (neni 124), “Çdo parti politike, pjesëtare ose jo e një koalicioni dhe kandidati i propozuar nga zgjedhësit kanë të drejtë të ankohen në KQZ kundër vendimeve të KZAZ-së, që cenojnë interesat e tyre të ligjshëm, brenda 3 ditëve nga data e shpalljes së vendimit”.

Pas përmbylljes së fazës ankimuese në KQZ, palëve u jepet mundësia që brenda 5 ditëve të paraqesin pretendimet e tyre në Kolegjin Zgjedhor, pranë Gjykatës së Apelit. Ky i fundit, që nga momenti i paraqitjes së kërkesës ankimore, ka në dispozicion 10 ditë kohë për t’i shqyrtuar ato dhe më pas për të shpallur vendimet, që janë të formës së prerë.

Orët e vona të mbrëmjes së të shtunës, KQZ-ja shpalli rezultatin për Tiranën, ku sipas tabelave përmbledhës, kandidati demokrat, Lulzim Basha shpallej fitues me 93 vota plus kundrejt rivalit të tij, Edi Rama. /Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2011-06-27 15:17
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›