E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Jashtëm i Vatikanit takime në Tiranë

Si parin e takimeve, Mamberti e ka nisur me ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto, ku është diskutuar për marrëdhëniet midis vendeve.

Haxhinasto vuri në dukje marrëveshjet e nënshkruara në disa fusha si në shëndetësi, turizëm dhe në fushën e arkivave. Kjo e fundit sipas ministrit, krijon mundësinë për të gjetur thesare të panjohura më parë në arkivat e pasuritë e Vatikanit.

 Zv/kryeministri bëri të ditur se, gjatë takimit u bisedua edhe për mundësinë që tani është koha që të ketë edhe Kardinal Shqiptar në Vatikan. Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Vatikanit, ka zhvilluar edhe një takim me kryeministrin Sali Berisha.

Gjatë takimit, Mamberti vlerësoi se dialogu dhe bashkëpunimi midis komuniteteve ka një rëndësi jetike për të gjithë rajonin si një pjesë e pandarë e Evropës. Sekretari për marrëdhëniet me shtetet në Vatikan, Imzot Mamberti vlerësoi se procesi i integrimit evropian është një zgjidhje së pari për  stabilitetin në rajonin e Ballkanit dhe se promovimi i paqes, stabilitetit dhe marrëdhënieve të mira midis komuniteteve është në të mirën e të gjithë vendeve të rajonit por edhe të BE.

Në takimin në presidencë, Presidenti Bamir Topi, vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira të Shqipërisë me Shtetin e Vatikanit, si dhe shprehu mirënjohjen për rolin e rëndësishëm e të vazhdueshëm të Selisë së Shenjtë në konsolidimin e demokracisë e të institucioneve shqiptare si dhe bashkëjetesës e harmonisë fetare në vendin tonë.

Edhe gjatë takimit me kryeparlamentaren Jozefina Topalli janë theksuar marrëdhëniet e mira dy vendeve. Kryetarja e Kuvendit tha se kjo vizitë është një tregues i nivelit shumë të mirë dhe të konsoliduar të  bashkëpunimit me Selinë e Shenjtë, që këtë vit shënon plot 20 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike. /Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2011-06-27 14:57
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›