PS: Nuk kemi refuzuar punën për ligjet me 3/5

Pak orë pas mbarimit të punimeve të konferencës së kryetarëve ka ardhur reagimi i Partisë Socialiste, si një përgjigje edhe ndaj akuzave të mazhoracës se kjo parti nuk po i përmbahet marrëveshjes për kalimin e ligjeve me 3/5. Në një njoftim për shtyp theksohet se PS rikonfirmon vullnetin e plotë politik e qytetar për të përmbushur angazhimin ndaj vendit e ndaj Bashkimit Europian në këtë proçes, por pa dëmtuar në asnjë rast e për asnjë arsye cilësinë e procesit ligjvënës.
“Nisur nga një deklaratë shtypi krejt e pazakonshme e nxjerrë nga zyrat e Kryetares së Kuvendit, në emër të kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, sqaroj opinionin publik se:
Në Konferencën e Kryetarëve, Kryetari i ynë i Grupit nuk ka refuzuar fillimin e punës për projekt-ligjet që kërkojnë tre të pestat e votave të Kuvendit. Të gjitha këto projekt-ligje janë prej kohësh tashmë pjesë e punës së përditshme të përfaqësuesve socialistë në Komisionin e Ligjeve, të cilët po përgatisin qëndrimin tonë në atë komision për secilin nga projektet e paraqitura nga qeveria. Puna e tyre bazohet në afate të përcaktuara, paraprakisht, që lidhen me domosdoshmërinë për të realizuar në afatin e paracaktuar bashkarisht me palën tjetër miratimin e projekt-ligjeve në fjalë. Pikërisht këtë ka nënvizuar Kryetari i Grupit Socialist në Konferencën e Kryetarëve, duke kërkuar kohën e nevojshme për fillimin e punës në komision nga ana e përfaqësuesve tanë. Ngutja e palës tjetër dhe sidomos arbitrariteti në vendimmarrjen e Konferencës së Kryetarëve nuk e justifikojnë as qëllimin e përbashkët për ta mbyllur këtë proces në mars e as domosdoshmërinë që ky proces të jetë serioz, cilësor e transparent.
Partia Socialiste dhe Grupi i saj parlamentar rikonfirmojnë vullnetin e plotë politik e qytetar për ta përmbushur angazhimin ndaj vendit e ndaj Bashkimit Europian në këtë proces, por pa dëmtuar në asnjë rast e për asnjë arsye cilësinë e procesit ligjvënës. Ne e ftojmë palën tjetër të ruajë qetësinë dhe të kuptojë se ligjet me tre të pestat janë një çështje shumë serioze për t`u përfshirë në lojën e njohur mediatike të saj për të tërhequr vëmendjen e opinionit nga dështimet e përditshme të qeverisë”-përfundon deklarata .
Më herët konferenca e kryetarëve vendosi pa konsensusin e opozitës që projektligjet që kërkojnë 84 vota në Parlament të mbeten në kalendar dhe të fillojë puna në komision për shqyrtimin e tyre. Ndërkaq ajo përcaktoi si datë të parë të shqyrtimit në seancë plenare të ligjeve me tre të pestat datën 2 shkurt, ku në rendin e ditës do të përfshihet shqyrtimi i kodit civil.