E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-PD përplasen për ligjin e SHISH-it

“Komisioni i Ligjeve shkeli rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën”. Rusmali: Do sqarohet

Partia Socialiste reagoi dje ashpër pas miratimit të ligjit për Shërbimin Informativ Kombëtar në një seancë të cilësuar si sekrete të Komisionit parlamentar për çështjet Ligjore. Selia rozë publikoi procesverbalin e kësaj seance, duke fajësuar Kryetaren e Kuvendit që e ka lejuar zhvillimin e saj. Deputeti socialist, Saimir Tahiri, i kërkoi mazhorancës që të tërheqë ndryshimet e miratuara, ndërkohë që sipas tij, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, duhet të japë dorëheqjen. “Në një mbledhje sekrete, larg vëmendjes së opinionit publik, duke shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit (Neni 35), është mbledhur në fshehtësi të plotë Komisioni parlamentar i Ligjeve dhe ka miratuar projektligjin e SHISH-it, duke shpërfillur thirrjet e Partisë Socialiste, apelin e shoqërisë civile, e madje duke shpërfillur edhe kërkesat e ndërkombëtarëve që më shumë se një herë i bënë thirrje mazhorancës të ndalet”, tha ai. Tahiri iu referua procesverbalit sekret prej 11 faqesh, që sipas tij pasqyron mbledhjen dhe miratimin e p/ligjit të SHISH-it. Ai tha se në këtë procesverbal janë rekordet e mbledhjes në Komisionin e Ligjeve, ku nëpërmjet një debati mediokër e fare formal, deputetët e mazhorancës, së bashku me të dërguarin personal të Kryeministrit, materializojnë vullnetin e Sali Berishës për të kapur SHISH-in e për ta përdorur politikisht atë, siç ka bërë edhe në të shkuarën.

“Kjo procedurë sekrete e miratimit të projektligjeve në mbledhje të fshehta, e për më tepër e miratimit të projektligjit të SHISH-it, të kundërshtuar nga opozita, shoqëria civile, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë, është dëshmia e radhës se kjo mazhorancë e ky Kryeministër po synojnë me çdo kusht ta tërheqin vendin në spiralen e një diktature të maskuar, duke njësuar mekanizmat e pushtetit me ato të partisë, dhe duke i përdorur ndaj opozitës e ndaj gjithkujt që kundërshton Sali Berishën dhe mazhorancën”, theksoi Tahiri. Duke vlerësuar se mbledhjet sekrete janë metoda fashiste të vëna në jetë nga deputetë të paguar nga taksat e qytetarëve, por që sillen si guerilë, Tahiri këmbënguli se kjo përforcon dyshimet se, sot më shumë se kurrë, Sali Berisha po synon ta rikthejë SHIK-un famëkeq si institucion dhune e represioni për interesat e tij politike. Nisur nga kjo, deputeti socialist renditi disa kërkesa, duke kërkuar tërheqjen e mazhorancës nga tentativa për të kontrolluar Shërbimin Informativ Shqiptar, dorëheqjen e Rusmalit, si dhe të kërkohet falje për nisma të tilla joserioze. “I bëjmë thirrje mazhorancës, e veçanërisht Kryeministrit, të deklarojë pa asnjë ekuivok tërheqjen pa kushte nga ndryshimet e propozuar për ligjin e SHISH-it, të shkarkojë kryetarin e Komisionit të Ligjeve, anulimin e pasojave (miratimi i p/ligjit për SHISH) që ka sjellë mbledhja e fshehtë e komisionit në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit (Neni 35), si dhe të kërkojë ndjesë publike ndaj opozitës, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë”, nënvizoi Tahiri. Ai këmbënguli se përgjegjësi të drejtpërdrejtë mban Kryetarja e Parlamentit, e cila ka lejuar me vullnet të plotë, apo ka lejuar pa dashje, që nën hundën e saj të zhvillohen mbledhje sekrete në Kuvendin e Shqipërisë nga deputetë të paguar prej taksave të qytetarëve, të japë dorëheqjen e menjëhershme. Ndryshimet për ligjin e Shërbimit Informativ Shtetëror janë kundërshtuar nga selia rozë, e madje në një prej prononcimeve të shumta të kësaj partie është theksuar se është një ndër kushtet që ajo të hyjë në Parlament.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›