E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasaportat biometrike, nuk respektohen afatet e prodhimit

Dy komuna bashkohen në një qendër të vetme aplikimi, duke sjellë probleme te qytetarët

Problemet me procesin e pajisjes me pasaporta biometrike nuk kanë të sosur, pavarësisht se Ministria e Brendshme deklaron se janë bërë mbi 501 mijë aplikime. Defektet e këtij procesi nuk qëndrojnë në aplikimin e qytetarëve, por në respektimin e afateve nga firma private për prodhimin e pasaportës. Pavarësisht se disa herë janë bërë publike këto afate, ato nuk janë respektuar, sidomos në qytetet e vogla apo zonat rurale. Fillimisht, kjo u justifikua me fluksin e emigrantëve, por edhe tani që kanë kaluar disa javë nga ikja e emigrantëve vazhdojnë të njëjtat probleme. Megjithatë, problem tjetër qëndron edhe bashkimi i qendrave të aplikimit, nga dy komuna në një të vetme. Sipas tyre, kjo bëhet për shkak të aplikimeve të pakta që ka në këto komuna. Por, është harruar interesi publik për zonat malore, ku një personi mund t’i duhet të udhëtojë 24 orë në këmbë për të shkuar nga një komunë në një tjetër, sidomos në këtë kohë të ftohtë, kur bora ka bllokuar rrugët.

Qëkur filloi aplikimi për pasaporta dhe Ministria e Brendshme i bëri thirrje qytetarëve të aplikojnë për t’u pajisur me pasaportë biometrike, pasi kjo do të ndikojë edhe në liberalizimin e vizave, u shpallën disa afate për procesin e prodhimit. Fillimisht u deklarua edhe nga zyrtarët e lartë se koha për t’u pajisur me një pasaportë biometrike që nga momenti i aplikimit është 15 ditë. Duke përllogaritur këtë kohë, shumë qytetarë u zhgënjyen, pasi jo vetëm që nuk e morën për 15 ditë, por u desh më shumë se një muaj që të prodhoheshin edhe pasaportat. Ditët e para të janarit, kjo u justifikua me fluksin e emigrantëve, e madje, jo zyrtarisht, afati u bë një muaj. Por, edhe ky afat i ri nuk është respektuar, ndërkohë që qytetarëve iu dogjën kontrata të ndryshme jashtë vendit, udhëtime turistike, e shumë aktivitete të tjera.

Por, duke pasur gjithë këtë fluks, sipas të dhënave zyrtare, firma “Aleat”, duke ulur shpenzimet, dy qendra aplikimi i “shkriu” në një të vetme. Kjo u bë, sidomos në komuna, qoftë nga cilado zonë qofshin, duke sjellë probleme të tjera. Siç vijnë informacionet, fillimisht njerëzit duhet të orientohen ku është komuna tjetër që është instaluar qendra e aplikimit dhe më pas të kalojnë një sërë peripecish për të kryer këtë aplikim. Gjithashtu, Ministria e Brendshme deklaroi para pak ditësh se numri i aplikimeve ka kaluar 501 mijë, por nuk dha asnjë shifër për numrin e pasaportave të prodhuara, pavarësisht se u bënte thirrje qytetarëve, që të paraqiten pranë qendrave për tërheqjen e pasaportave biometrike.

Nga vëzhgimet e kryera rezulton se qytetarët nuk janë indiferentë ndaj kësaj, por sa herë paraqiten në ambientet policore, ku janë instaluar punonjësit e firmës private për shpërndarjen e pasaportave ka një fluks njerëzish, që presin për pajisje me pasaportë, me të drejtë pasi ka kaluar afati, por që kthehen me duar bosh, pasi prodhimi i tyre nuk është realizuar ende. Veç këtyre, për rastet urgjente për pajisje me pasaportë, siç ka pasur edhe informacione të mëparshme, duhet të bëhen problem në media, që kompania të ndërgjegjësohet për të realizuar një veprim të tillë, pasi sipas tyre në ditë u shkojnë shumë kërkesa të këtilla.

Një zgjidhje e këtij problemi nuk është dhënë ende, ndërkohë që shembulli më i mirë vjen nga vendi fqinj, Maqedonia. Aktualisht, edhe ky vend po kryen procesin e pajisjes me pasaporta biometrike. Por, në raste urgjente për pajisje me pasaportë, ai ka vënë çmime më të larta me qëllim për të prodhuar për kërkesa të veçanta. Madje, vetëm pak kohë më parë dhanë një informacion zyrtar se nga paratë e mbledhura me çmimet sipër kostos reale, për pasaportat biometrike që janë prodhuar urgjent, është blerë një tjetër aparaturë prodhimi, me qëllim që të jetë sa më pranë nevojave të qytetarëve. Ndërsa në vendin tonë, sipas informacioneve të pakonfirmuara, kompania private nuk ka një aparaturë për të prodhuar pasaporta në këto raste të veçanta, por duhet të ndalojë prodhimin e gjithë serisë për të kryer një veprim të tillë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›