PS-PD shkëmbejnë akuza për ndryshimet kushtetuese
Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste, Kastriot Islami, kërkoi nga Partia Demokratike dhe kryeministri Berisha që të shprehen qartë në lidhje me propozimet e tyre për ndryshimin e Kushtetutës, duke iu referuar dy qëndrimeve të kundërta të deputetëve të PD-së përsa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit. Madje Islami e akuzoi kryeministrin Berisha dhe partinë e drejtuar prej tij se “po luan me dy porta”. “Jam këtu sot para jush për t’i kërkuar kryeministrit dhe kryetarit të maxhorancës aktuale të shprehet qartë kundër këtij dyzimi për të hequr çdo lloj dyshimi që ai vetë ndodhet prapa kësaj shfaqjeje joserioze, ku PD-ja luan me dy porta dhe që në thelb do të prishte vendimmarrjen e konsensusin e arritur dhe do të hidhte të erë reformën zgjedhore. Kryeministri duhet të artikulojë qartësisht qëndrimin e angazhimin e PD-së e të maxhorancës që drejton për të miratuar të gjitha amendimet e miratuara me konsensus në Komisionin e Ligjeve, veçanërisht ato që lidhen me nismën e PSSH-së për sistemin zgjedhor”, - u shpreh deputeti socialist. Islami kërkoi gjithashtu nga kryeministri Berisha dhe maxhoranca që të realizojnë angazhimin e tyre publik për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, sidomos për ato që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore. “Kryeministri dhe kryetari i maxhorancës duhet t’i qëndrojnë seriozisht angazhimit publik me partnerët ndërkombëtarë për të miratuar ndryshimet kushtetuese tashmë të miratuara me konsensus, sidomos ato që lidhen me reformimin e sistemit zgjedhor, në mënyrë që Komisioni i Reformës Zgjedhore dhe më tej Kuvendi të përmbyllin brenda këtij sesioni kuvendor miratimin e të gjithë reformës zgjedhore”, - tha ai.
Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Demokratike ndaj deklaratës së deputetit socialist, Kastriot Islami. Zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani, tha se akuzat e Islamit ishin të pabaza dhe se qëndrimi i PD-së është unik, pas vendimit të marrë në mbledhjen e kryesisë së saj. “Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Kastriot Islami, ndërmori një sulm të paprincip ndaj kryetarit të Partisë Demokratike dhe kryeministrit të vendit, Sali Berisha, duke e akuzuar atë për një puç konstitucional apo për një kurth që do t'i bëjë reformës së ndërmarrë zgjedhore. Si zëdhënës i Partisë Demokratike, lidhur me këtë prononcim, deklaroj se janë trillime tërësisht të pabaza.
Kryesia e Partisë Demokratike, në mbledhjen e saj të fundit të datës 17 prill, ka vendosur në unanimitet të plotë, pa asnjë votë kundër, të mbështesë paketën e propozuar nga Komisioni i Ligjeve, përfshi këtu zgjedhjen e presidentit nga Parlamenti me 3/5 e votave dhe raundet e fundit me 50 + 1”, - deklaroi Bogdani.
21 Prill 2008