Rehn: “BE-ja, pro përpjekjeve që Kosova të ngrihet në këmbët e veta”
Komisionari europian për Zgjerim, Oli Rehn, ka deklaruar në Bruksel se orientimi i Kosovës për një shoqëri multietnike është skalitur në Kushtetutën e re të Kosovës. Ai ka theksuar se Bashkimi Europian do t’i mbështesë përpjekjet e Kosovës që të ngrihet në këmbët e veta, duke shtuar se në këtë drejtim do të ndihmojë edhe misioni i EULEX-it. Rehn ka vlerësuar se Serbia është faktor kyç për sigurinë rajonale dhe për marrëdhëniet e mirë fqinjësore. “Qytetarët e Serbisë kanë zgjedhje vendimtare më 11 maj. Varet prej tyre nëse do të vendosin t’i kthehen ardhmërisë europiane apo rrezikojnë vetizolimin”, - ka thënë Rehn në një konferencë kushtuar shoqërisë civile në Europën Juglindore. “Nëse ia del t’i tejkalojë sfidat e statusit të Kosovës dhe të zgjedhjeve në Serbi, atëherë Europa Juglindore ka të ardhme të ndritshme europiane”,-është shprehur Oli Rehn.
Pak: “Serbët t'i besojnë Kushtetutës së Kosovës”
Shefja e delegacionit për Europën Juglindore të parlamentit Europian, Doris Pak, deklaroi dje në Prishtinë se institucionet e Kosovës dhe liderët politikë duhet të bëjnë sa më shumë që serbët e Kosovës të kenë besim në Kushtetutën e re të Kosovës. “Kushtetuta e re do t’u ofrojë atyre mundësi të shumta për të bërë më shumë për jetën e tyre, të kenë identitetin e tyre, dhe të kenë raporte me shtetet fqinje”,-tha Pak. Gjatë vizitës në Prishtinë Doris Pack zhvilloi takime me krerët e institucioneve të vendit.
Jeremiç: “Serbia dhe BE-ja të nënshkruajnë marrëveshjen”
Ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, ftoi vendin e tij dhe Bashkimin Europian, që ta nënshkruajnë Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim, derisa Serbia shkon në zgjedhje muajin e ardhshëm, në të cilat mund të ndodhë që të mbizotërojnë politikanët e linjës së fortë. “Marrëveshja e ardhshme do të jetë më lehtë të arrihet nëse e gjithë Serbia përfshirë edhe Kosovën do të lëvizë përkrah qëllimit të përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Europian”,- ka bërë të ditur Jeremiç për të përditshmen “International Herald Tribune”. Raportet e Serbisë me BE-në janë në pikën më të ulët, që në kohën kur pjesa më e madhe e vendeve të Bashkimit Europian njohu pavarësinë e Kosovës.
Kushner: “Franca do të vëzhgojë Kosovën kur të marrë Presidencën e BE-së”
Franca do ta mbikëqyrë Kosovën për së afërmi gjatë presidencës së saj gjashtë mujore të BE-së. Këtë deklaratë e bëri përpara parlamentareve të 47 vendeve europiane, Ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kushner. Kryediplomati francez gjithashtu u bëri thirrje kosovarëve të mënjanojnë dhunën dhe të mbështesin normat europiane për mbrojtjen e minoriteteve dhe parandalimin e torturës. “Kosova duhet të bëhet vend që respekton zotimin për të mbajtur paqen dhe dialogun në të gjitha rrethanat”-tha Kushner duke shtuar se Kosova duhet të bëhet një shtet që përpiqet për dialog paqësor me fqinjët e saj.
19 Prill 2008