E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervistë me deputetin e PD-së, Ndriçim Babasi, për nismën kushtetuese

Babasi: ”Klane në PD kërkojnë të privatizojnë Presidentin”

Deputeti i Partisë Demokratike, Ndriçim Babasi, në një intervistë për gazetën “Albania” tregon të gjithë rrugëtimin e nismës së deputetëve demokratë për të kërkuar zgjedhjen e presidentit nga populli. Babasi shprehet i bindur se kjo nismë do të mbështetet dhe do të votohet në Kuvend. Sipas tij, segmente të caktuara në Partinë Demokratike nuk kërkojnë që të ketë një president nga populli, pasi duan që ta kenë atë në varësinë e tyre. Deputeti i Fushë-Krujës shprehet se pikërisht këto segmente të PD-së i shohin si armiq nismëtarët për president nga populli dhe i cilësojnë si fraksion. Babasi kundërshton idenë e fraksionit, pasi sipas tij zërat kundër kanë pasur si qëllim tregimin e realitetit dhe mangësive të maxhorancës, por mbështetja politike e saj është e padiskutueshme. Ai shton më tej se këto segmente në PD kërkojnë shkëputjen e saj nga realiteti si dhe shpreh bindjen se do të ketë ndryshime në qeverisje. “Lideri Berisha na premtoi se do të ketë ndryshime”, - shprehet Babasi.

Zoti Babasi, një grup deputetësh të Partisë Demokratike prej mbi 30 vetash, ku bëni pjesë edhe ju, kanë firmosur një kërkesë për një ndryshim në Kushtetutë, ku kërkohet zgjedhja e presidentit nga populli. Pse e ndërmorët këtë nismë?
Me ligjin e ri elektoral që po miratohet, proporcional rajonal, ne mendojmë se është e vetmja zgjidhje, që të ruhet një linjë kushtetutshmërie. Së dyti, për mendimin tim, të përballesh me elektoratin është e vështirë dhe jo e lehtë. Personalisht e di mirë, pasi jam përballur dy herë, si në vitin 2001, ashtu edhe në vitin 2005, në Fushë-Krujë. Në kërkesën tonë ne kërkojmë një president nga populli dhe kjo përbën një sfidë. Natyrisht që duhet një figurë e cila mund të kandidojë për president. Kjo sfidë kërkon njerëz të matur, figura të njohura dhe me begraund politik ose shoqëror, dhe në këtë formë ne kemi mundësi që të nxjerrim në Shqipëri një president mbi palët. E pamë një gjë të tillë të arsyeshme, pasi edhe nga njerëzit e thjeshtë në zonat tona elektorale na kërkohet që të kenë mundësi të votojnë për presidentin e tyre. Pikërisht kjo ishte edhe ideja e nismës tonë, pra një president i zgjedhur në mënyrën më të mirë të mundshme dhe që të jetë një president mbi palët.
Këtë kërkesë tuajën për një president nga populli si e priti kryeministri Sali Berisha kur ia paraqitët, duke ditur se ka edhe një nismë tjetër për votim nga Parlamenti për të zgjedhur presidentin?
Berisha e priti shumë mirë. Pasi prezantoi nismën e parë, ne i paraqitem edhe nismën për president nga populli dhe atij iu duk i drejtë propozimi ynë. Më tej ai tha se ka dëshirë që kjo nismë të shkojë deri në fund. Ai tha se do t’i bashkëngjitet nismës sonë dhe shpresojmë që të mbledhim votat. Kryeministri tha se si kryetar i maxhorancës, ka për detyrë që të gjithë deputetët e maxhorancës të mbështesin dhe të votojnë nismën për president nga populli. Unë shpresoj personalisht se mund të arrihet qëllimi, pasi duke pasur një president nga populli, nuk fiton vetëm Partia Demokratike, por fiton vendi, Kushtetuta dhe nuk do të ketë më kriza parlamentare që vijnë si shkak i maxhorancave të mëdha.
Në këtë nismë duhen patjetër edhe votat e opozitës për të arritur 94 votat e duhura për të ndryshuar Kushtetutën. A keni pasur kontakte me deputetët e opozitës dhe a mendoni se do të miratohet kjo nismë?
Ka dy mendime në këtë rast. Mendimet e para që ne kemi janë nga kontaktet që mbajmë me deputetët e opozitës, të cilët janë dakord me këtë nismë, me këtë amendament. Mendimi i dytë është qëndrimi politik që do të ketë zoti Edi Rama. Nga ana tjetër, partitë e vogla të të dyja krahëve politikë kanë dhënë mbështetjen për të votuar këtë nismë, pasi u duket si më e arrira. Gjinushi, Meta, Ceka janë shprehur paraprakisht se do ta mbështesin. Madje disa prej tyre na kanë thënë se kemi marrë idenë e tyre. Ndaj dhe jemi të bindur se kjo nismë do të fitojë nisur edhe kontaktet që ne kemi pasur në takime të lira.
Ju keni pasur edhe kontakte të shpeshta me presidentin kohët e fundit. Cila ka qenë dëshira e tij, ose më saktë, pse presidenti Topi preferon që kreu i shtetit të zgjidhet nga populli?
Unë mendoj se presidenti është në një linjë me ne. Kjo nuk ka të bëjë me presidentin aktual, por me Presidentin si institucion, si garant i Kushtetutës dhe i ligjeve të vendit. Unë them se ky institucionin, nisur edhe nga rëndësia e veçantë e tij, duhet t’i bashkëngjitet një person me begraund të mirë, një figurë e njohur nga çdo fushë, pasi nuk është e thënë që të jetë vetëm nga politika. Duke pasur një zgjedhje nga populli të presidentit, në formë të drejtpërdrejtë, institucioni fiton pikërisht një figurë të tillë. Ne kemi pasur nga e kaluara eksperienca të hidhura gjatë këtyre viteve të demokracisë. Mos të harrojmë se përpara presidentit Topi mund të bëhej president një ushtar i panjohur, anonim, që erdhi falë mosmarrëveshjeve. Ky nuk mund të jetë një president mbi palët, pasi po vinte nga segmente më të këqija të politikës, si nga maxhoranca jonë, ashtu edhe nga krahu tjetër.
Ditën që paraqitët këtë nismë, shumë deputetë brenda PD-së ju cilësuan si një fraksion tashmë të lindur zyrtarisht brenda maxhorancës, madje edhe me një program më të djathë sesa ajo që po zbaton qeveria. A po funksiononi si fraksion në fakt?
Ne nuk jemi fraksion në PD. Në fakt e vërteta është se ne kemi paraqitur gjithnjë realitetin. Punën e PD-së, mundësitë, defektet që ka pasur PD-ja si dhe largësinë që ka krijuar qeveria me njerëzit. Jemi munduar që ta themi në sy realitetin me bindje dhe nuk është faji im që këta njerëz apo segmente jodashamirëse, jo të mira në PD, duan ta mbajnë PD-në larg realitetit dhe duan ta privatizojnë, që mendojnë se ne jemi fraksion apo të padëshiruar në PD. Pa dyshim që ne jemi në një linjë me Partinë Demokratike. Unë e them me bindje se asnjë nga deputetët nismëtarë nuk ka dalë qoftë edhe në një votim kundër projektligjeve apo vendimeve të maxhorancës. Kemi qenë gjithnjë në mbështetje në PD-së në linjë të maxhorancës së 3 korrikut.
Atëherë mendoni se këto segmente të padëshiruara në PD do ta mbështesin nismën tuaj?
Unë mendoj se po. Kjo nuk është me vlerë vetëm për Partinë Demokratike, por për vetë vendin dhe funksionimin e demokracisë në vend.
Ju personalisht keni kërkuar analiza në Grupin Parlamentar të PD-së. Pas Samitit të NATO-s nuk u bë kjo analizë. Çfarë u tha në mbledhjen fundit të grupit dhe a do të bëhet kjo analizë?
Kjo është e vërtetë. Unë kam kërkuar një analizë në maxhorancë pas Samitit të NATO-s, duke qenë në mes edhe Gërdeci, e cila ishte një ngjarje shumë e rëndë. Unë mendoj se pati zhvillime të reja këto kohë, siç ishin amendamentet për Kushtetutën, reforma zgjedhore etj. Gjithsesi, ne përsëri e kërkuam një analizë në maxhorancë, në mbledhjen e fundit për të gjitha problemet. Berisha na i ka premtuar dhe shpresojmë që do të vijë së shpejti kjo analizë dhe aty natyrisht që të gjithë do të themi mendimet tona. Është e domosdoshme për Partinë Demokratike dhe për qeverisjen që të ketë ndryshime, pavarësisht se ka pasur ecuri në reforma. Në këtë kuptim unë jam i mendimit se vetëm e djathta mund të realizojë reformat, por natyrisht probleme dhe mangësi ka dhe ne duam që këto mangësi të eliminohen në mënyrë që të ecim para.
Mendoni se kjo analizë do të sjellë ndryshime dhe ministra më të mirë, të cilat janë larg këtyre interesave të ngushta që ju thatë?
Unë mendoj se do të ketë. Duke parë natyrën e kryeministrit Berisha, i cili është një njeri që beson shumë te fjala dhe ne presim t’i themi më tej se shumë gjëra nuk kanë shkuar siç duhej, madje kanë marrë drejtim tjetër. Ky drejtim tjetër po e rëndon shumë maxhorancën. Na rëndon shumë sepse ne jemi deputetë të zgjedhur në zona të drejtpërdrejta dhe shohim të gjitha ankesat që marrim nga votuesit dhe njerëzit e thjeshtë, të cilët presin më shumë. Unë nuk dua që ministri i Partisë Demokratike apo i maxhorancës të shkëputet nga baza dhe kjo nuk është e mirë. Kjo shkëputje sjell një deformim të punës, forcave etj. Mendoj se kjo analizë do të sjellë shumë për PD-në.
Ku mendon se ka mangësi në qeveri? Cilët ministra mendoni se nuk po punojnë? Njëkohësisht ka pasur kritika për ministrat aleatë për pushtet më të madh se të merituar?
Mendimi im është (të cilin e kam shprehur edhe në Grupin Parlamentar) që Ministria e Arsimit ka çaluar shumë dhe personalisht shoh që ka rënie të theksuar. Si deputet i zonës merrem shumë me problemet e arsimit, veçanërisht për arsimin e mesëm. Shoh që ka probleme dhe mungesa në investime dhe mendoj se ministri aktual Genc Pollo nuk ka bërë absolutisht asgjë, dhe nuk mendoj se mund të bëjë. Mund të dukem i ashpër, por në arsim nuk tolerohet. Çdo vend kërkon një brez më të mirë, më të shkolluar dhe po shoh që nuk po bëhet reforma e premtuar për një liberalizim të shkollave.
Po ministritë e tjera, si i gjykoni?
Normalisht ka mangësi, por në ministritë e tjera nuk shoh probleme të mëdha dhe evidente. Mund të them që ka mangësi si në Ministrinë e Punës, Ministrinë e Brendshme, të Mbrojtjes, pasi ajo që ndodhi në Gërdec i kapi realisht në gjumë.
Po ministrat e PD-së, si i gjykoni?
Normalisht që kanë qenë më afër nesh, pra deputetëve. Duke qenë më afër nesh, janë edhe më afër bazës, pasi ne transmetojmë problemet e tyre. Pastaj këtu ka shumë për të thënë në lidhje sesi zgjidhen problemet.
Me ndryshimet që priten të bëhen mendoni se do të ketë ministra nga Grupi Parlamentar? Pra mendoni se ka emra në Grupin Parlamentar për t’u bërë ministra?
Personalisht për mua ky nuk është një problem. Për mua ka rëndësi që ministri të jetë një figurë e mirë, i përshtatshëm, pra për t’i gjetur vendin personit dhe vendin personit. Natyrisht që të fillojë që të zgjidhë problemet, ose të vendosë punën në shina dhe të ketë rezultate.
Ju keni mbështetur si grup sistemin proporcional rajonal. Mendoni se ky sistem është i favorshëm për të djathtën?
Unë nuk kam qenë personalisht dakord me këtë sistem. Normalisht ky ishte një vendim politik dhe absolutisht që i detyrohemi vendimit politik. Jam i detyruar që të mbështes vullnetin e maxhorancës dhe pa dyshim që do ta votoj.

21 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›