E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Presidenti të mos dekretojë moratoriumin për skafet

TIRANË- Partia Socialiste i kërkoi sot Presidentit të Republikës të mos dekretojë projektligjin për moratoriumin e mjeteve motorike lundruese, pasi sipas saj "ai shkel plotësisht të drejtat dhe liritë e njeriut të njohura nga Kushtetuta".

Deputeti i Partisë Socialiste, Saimir Tahiri deklaroi gjatë një konference për shtyp, se "moratoriumi i skafeve, i miratuar së fundi në Qeveri për një periudhë tre vjeçare, ndalon në mënyrë absolute lundrimin e çdo mjeti detar, përfshirë këtu edhe ato mjete që përdoren nga qytetarët shqiptarë për qëllime turistike apo sportive".

"Argumenti se nëpërmjet këtij ligji parandalohen veprat penale të lidhura me trafikun e paligjshëm detar, jo vetëm nuk qëndron, por edhe sikur të justifikohej në vitin 2006, tani nuk mund të justifikohet përsëri", tha z. Tahiri.
Ai paralajmëroi se "në rast se ky pr/ligj do të dekretohet nga Presidenti, Partia Socialiste do kërkojë menjëherë nga Gjykata Kushtetuese shpalljen si antikushtetues të tij".

Këshilli i Ministrave miratoi dy ditë më parë zgjatjen me 3 vjet të moratoriumit për mjetet motorike lundruese, që ka nisur funksionimin e tij në Shqipëri në prill të vitit 2006. Kryeministri Sali Berisha siguroi qytetarët se ky moratorium nuk pengon turizmin në Shqipëri, por synon të ndalojë funksionimin e industrisë së mafies dhe krimit.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›