PS: Privatizimi i INSIG, 19 mln euro minus në buxhet
TIRANE- Mënyra e privatizimit të Institutit të Sigurimeve dhe çmimi me të cilën u shit kjo kompani kanë qenë në qendër të kritikave të Partisë Socialiste drejtuar qeverisë. Gjatë një deklarate për gazetarët, nënsekretari për programin në Ps, Ilir Beqja ka nënvizuar faktin se nga ky privatizim mund të shtoheshin edhe 19 milion euro të tjera në buxhetin e shtetit. “Kompania duhet të shitej të paktën 72 milionë Euro. Për këtë arsye ne denoncojmë sot, se qeveria e Sali Berishës i ka borxh shqiptarëve të paktën 19 milionë Euro apo 2,3 miliardë lekë”- ka theksuar Beqja.
Duke i cilësuar si para që mungojnë në buxhetin e shtetit, Partia Socialiste ka thënë se këto para do të nevojiteshin për të ndërtuar dhe pajisur me ambulanca 250 fshatra te vendit.
Ndër të tjera, Beqja ka kritikuar Ministrinë e Financave për mangësinë e informacionit të dhënë në lidhje me këtë privatizim.
“Kaluan gati gjashtë javë nga lajmi i Ministrisë së Financave për shitjen e paketës së zotëruar nga qeveria shqiptare në kompaninë e sigurimeve INSIG. Përveç emrit të ofertuesit me ofertën më të lartë dhe çmimit të ofruar nuk ka asnjë informacion tjetër”- është shprehur ai.
(e.n/Balkanweb)