PS: Pse duhet të pezullohet ligji i dosjeve, 28 nenet ku shkelet Kushtetuta
Shaban Sulçe
Kërkesa ankimuese e Partisë Socialiste drejtuar Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e ligjit të dosjeve përmban renditjen e të 28 neneve të këtij ligji, të cilat bien ndesh me Kushtetutën dhe e shkelin rëndë atë. Në këtë material jepen të argumentuara rastet e shkeljes së Kushtetutës me anë të këtij ligji, ndërkohë që theksohet se zbatimi i këtij ligji sjell pasoja që prekin interesa të rëndësishme shtetërore, shoqërore por edhe individuale.
Mandatet
Neni 3 i ligjit të dosjeve parashikon ndërprerjen e mandateve për zyrtarët e lartë. Por ky nen bie ndesh me Kushtetutën, e cila parashikon rastet dhe procedurat e zgjedhjes për këta zyrtarë. Konkretisht në këtë nen shkelet Kushtetuta për procedurat për zgjedhjen apo shkarkimin e Presidentit të Republikës, për ndërprerjen e mandatit të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, për zgjedhjen e kryetarëve të bashkive dhe komunave, për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, për anëtarët e Gjykatës së Lartë, për gjyqtarët e apeleve dhe të gjykatave të rretheve gjyqësore, për prokurorët dhe punonjësit që gëzojnë statusin e nëpunësit civil.
Konflikti i interesit
Neni 5 i ligjit të dosjeve ndalon personat që preken nga ky ligj që të marrin pjesë në Autoritetin e Kontrollit të Figurave si dhe nuk mund të jenë pjesë në trupën gjyqësore që mund të marrë në shqyrtim këtë ligj. Shmangia e gjyqtarit kushtetues nga misioni për të cilin ai është ngarkuar nga Kushtetuta, qoftë edhe për arsye të parandalimit të ndonjë konflikti interesi, mund të shkaktojë bllokim institucional dhe mosfunksionim të parimeve bazë të shtetit të së drejtës, pasi Gjykata Kushtetuese është i vetmi institucion i mandatuar nga ligji më i lartë i vendit, - Kushtetuta, - për të siguruar mbrojtjen e saj nga cenimet që mund të vijnë përmes ligjeve antikushtetuese.
Ndarja e pushteteve
Në ligjin për dosjet, Autoriteti i Kontrollit të Figurës është shndërruar në një organ me kompetenca superkushtetuese, ndërkohë që nuk përfshihet në institucionet e parashikuara nga Kushtetuta. Veprimtaria e këtij institucioni nuk është reflektuar gjithashtu as në ligjet organike të institucioneve kushtetuese.
E drejta e punës
Ligji nr. 10034, datë 22.12.2008 “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve” bie ndesh gjithashtu edhe me urdhërimin e Nenit 49, pika e parë e Kushtetutës, ku parashikohet shprehimisht:
“Secili ka të drejtë të fitojë mjetet e jetesës së tij me punë të ligjshme, që e ka zgjedhur ose pranuar vetë. Ai është i lirë të zgjedhë profesionin, vendin e punës, si dhe sistemin e kualifikimit të vet profesional”.
Cenimi i dinjitetit
Neni 25 i ligjit të goditur parashikon se Autoriteti bën publike në faqen zyrtare identitetin e të gjithë zyrtarëve të kualifikuar si të papajtueshëm për të vazhduar detyrën, për të cilët nuk është zhvilluar procedura e skualifikimit, sipas Nenit 23 të këtij ligji, apo nuk ka përfunduar marrëdhënia e punës, sipas Nenit 24 të këtij ligji. Ky rregullim është gjithashtu një cenim i të drejtave kushtetuese, praktikisht Neni 3 (“Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij, dinjiteti i njeriut... janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t'i respektojë dhe t'i mbrojë”) dhe 35 (1. Askush nuk mund të detyrohet, përveçse kur e kërkon ligji, të bëjë publike të dhëna që lidhen me personin e tij.
Dënimi
Dispozitat e Ligjit nr. 10034, datë 22.12.2008 “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve” bien ndesh dhe me një parim të njohur të së drejtës ndërkombëtare, me parimin e ndalimit të dënimit më shumë se një herë për të njëjtin veprim (ose mosveprim). Ky parim (ne bis in idem) parashikohet edhe nga Kushtetuta jonë në Nenin 34: “Askush nuk mund të dënohet më shumë se një herë për të njëjtën vepër penale dhe as të gjykohet sërish, me përjashtim të rasteve kur është vendosur rigjykimi i çështjes nga një gjykatë më e lartë, sipas mënyrës së parashikuar me ligj”.
E drejta për t’u zgjedhur
Dispozitat e Ligjit nr. 10034, datë 22.12.2008 “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve” bien ndesh me nenet 45 (“1. Çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet. 2. Përjashtohen nga e drejta e zgjedhjes shtetasit e deklaruar me vendim gjyqësor të formës së prerë si të paaftë mendërisht”); dhe 68 (“2. Rregullat për caktimin e kandidatëve për deputetë, për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, si dhe përcaktimi i zonave zgjedhore dhe kushtet e vlefshmërisë së zgjedhjeve rregullohen nga ligji për zgjedhjet) të Kushtetutës, duke rrezikuar mbarëvajtjen e procesit të ardhshëm zgjedhor në vend”.
Nenet e ligjit që shkelin Kushtetutën
Nenet 3, 4, 7, 30, 34, 45, 49, 71, 81, 87, 90, 92, 98, 115, 116, 124, 127, 128, 131, 135, 137, 138, 139, 140, 145, 147, 149, 169, të saj) të Ligjit nr. 10034, datë 22.12.2008 “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”.
Deputetët nënshkrues të kërkesës
1-Valentina Leskaj 12-Flamur Hoxha 23-Gramoz Ruçi
2-Arben Isaraj 13-Fatmir Xhindi 24-Rajmonda Stefa
3-Erion Braçe 14-Elmaz Sherifi 25-Blendi Klosi
4-Fatmir Xhafaj 15-Vangjel Tavo 26-Ben Blushi
5-Pandeli Majko 16-Pirro Lutaj 27-Taulant Balla
6-Sadri Abazi 17-Pirro Keri 28-Andis Harasani
7-Rrapush Tola 18-Qemal Minxhozi 29-Arben Malaj
8-Stefan Çipa 19-Marko Bello 30-Shpëtim Idrizi
9-Ndriçim Hysa 20-Musa Ulqini 31-Ylli Bufi
10-Albert Caci 21-Ermelinda Meksi 32-Bashkim Fino
11-Namik Dokle 22-Arta Dade 33-Engjëll Bejtaj
34-Spiro Peçi
35-Paskal Milo
36-Leonard Solis
31 Janar 2009