E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Kush humb qarkun, mbetet pa “karrige” në qeveri

Selia “blu” nxjerr udhëzimin për zgjedhjet e ardhshme. Nuk marrin poste ministrore drejtuesit e zgjedhjeve në qarqet humbëse

Eljona Ballhysa

Selia “blu” mësohet se i ka udhëzuar drejtuesit e grupeve të punës në qarqet e vendit për të marrë të gjitha masat për të siguruar fitoren në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Burimet bëjnë të ditur se në udhëzimin e saj PD-ja ka vendosur të sanksionojë të gjithë drejtuesit e proceseve zgjedhore që do të humbin zgjedhjet në qarqet e tyre. Pavarësisht se drejtuesi do të rezultojë fitues, për shkak se ai do të jetë ndër të parët në listën e kandidatëve për deputetë, por në rast se PD-ja do të rezultojë si parti humbëse në qark, drejtuesi i procesit zgjedhor nuk do të marrë poste ministrore në kabinetin e ardhshëm qeveritar. Ky vendim është marrë për të nxitur drejtuesit e grupeve të punës për të vënë të gjitha forcat në drejtim të fitores në zgjedhjet e ardhshme.
Grupet
Kryesia e Partisë Demokratike ka përcaktuar me kohë drejtuesit e grupeve të punës në qarqe për realizimin e zgjedhjeve brenda partisë. Burimet pranë kësaj selie kanë bërë të ditur se edhe gjatë zgjedhjeve parlamentare drejtuesit e grupeve të punës pritet të jenë të njëjtët. Por asaj që i tremben disa prej eksponentëve të Partisë Demokratike është selektimi i qarqeve. Kjo do të thotë kandidimi i një figure të PD-së në një qark të vështirë për t’u fituar. Kjo praktikë pune është ndjekur edhe në zgjedhjet e kaluara nga kryetari i PD-së dhe pritet të praktikohet edhe gjatë këtyre zgjedhjeve. Burime nga Grupi Parlamentar i PD-së bëjnë të ditur se edhe gjatë këtij procesi zgjedhor, deputetëve që kërkon t’i largojë nga partia, Berisha do t’u japë zona të vështirë elektorale, ose do t’i vendosë nga fundi i listës së kandidatëve për deputetë.
Qarqet
Sipas listës së miratuar vetëm pak kohë më parë nga kryesia e partisë në qarkun e Tiranës, drejtues i zgjedhjeve do të jetë vetë kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili do të ndihmohet edhe nga deputetët e PD-së për Tiranën, siç janë Edi Paloka, Majlinda Bregu, Sokol Olldashi, Besnik Mustafaj e Bujar Nishani, si dhe zëvendësministri Gent Strazimiri. Në qarkun e Durrësit zgjedhjet do të drejtohen nga Gazmend Oketa e nga deputeti tjetër i këtij qyteti, Ferdinand Xhaferri. Në Gjirokastër janë përcaktuar Genc Ruli e Genc Pollo. Në Korçë kryesia ka vendosur ministrin Ridvan Bode e ish-ministrin Ilir Rusmali. Në qarkun e Kukësit dhe të Tropojës procesi zgjedhor do të menaxhohet nga deputetët Jemin Gjana e Fatos Hoxha. Në qarkun e Elbasanit, i cili njihet si zonë e vështirë për t’u fituar nga PD-ja, Berisha ka vënë një ndër figurat më besnike të tij, pikërisht ministrin Lulzim Basha. Në krah të Bashës në këtë qytet do të jetë dhe ish-ministri Halit Shamata. Shkodra, që njihet si bastion i PD-së, do të drejtohet nga nënkryetarja e partisë, Jozefina Topalli, e ndihmuar nga Astrit Bushati. Në Vlorë janë përcaktuar Astrit Patozi, Bujar Leskaj e Leonard Demi. Në Lezhë, Aldo Bumçi, në Berat, Ferdinand Poni e në Fier Fatos Beja. Pikërisht ky është grupi i drejtuesve të fushatës së ardhshme të PD-së. Shumica e këtyre figurave mbajnë poste ministrore në qeveri. Por në rast humbjeje, sipas udhëzimit më të fundit, këto figura rrezikojnë postin e ministrit.

31 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›